Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 4:5-16 Bibla Shqip (ALBB)

5. "Lajmërojeni në Judë, shpalleni në Jeruzalem dhe thoni: "I bini borisë në vend", bërtisni fort dhe thoni: "Mblidhuni dhe le të hyjmë në qytetet e fortifikuara".

6. Ngrini flamurin në drejtim të Sionit, mbathjani me vrap në kërkim të një strehe, mos u ndalni, sepse do të dërgoj nga veriu një mjerim dhe një shkatërrim të madh.

7. Luani brofi duke dalë nga pjesa e dendur e pyllit të tij dhe një shkatërrues kombesh është nisur, ka lënë banesën e tij për ta katandisur si mos më keq vendin tënd; qytetet e tua do të shkretohen dhe do të mbeten pa banorë.

8. Prandaj vishuni me thasë, mbani zi, vajtoni, sepse zemërimi i zjarrtë i Zotit nuk është larguar prej nesh.

9. Atë ditë ka për të ndodhur", thotë Zoti, "që zemra e mbretit dhe zemra e princave do të ligështohen, priftërinjtë do të mbeten të shushatur dhe profetët të shtangur".

10. Atëherë unë thashë: "O Zot, Zot, ti ke mashtruar plotësisht këtë popull dhe Jeruzalemin, duke thënë: "Ju do të keni paqe", ndërsa shpata po futet deri në zemër".

11. Në atë kohë do t'i thuhet këtij populli dhe Jeruzalemit: "Një erë zhuritëse që vjen nga lartësitë e zhveshura në shkretëtirë dhe fryn në drejtim të bijës së popullit tim, jo për të shoshitur as për të pastruar;

12. një erë edhe më e fortë nga këto do të vijë nga ana ime; tani që unë do të shqiptoj gjykimin tim kundrejt tyre.

13. Ja, si ngjitet si retë dhe qerret e tij si një shakullinë; kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat. Mjerë ne, sepse po shkretohemi!".

14. O Jeruzalem, pastro zemrën tënde nga ligësia, me qëllim që të shpëtosh. Deri kur do të mbeten te ty mendimet e mbrapshta?

15. Sepse një zë njofton nga Dani dhe shpall fatkeqësinë nga mali i Efraimit.

16. "Lajmëroni kombet; po, bëjani të njohur Jeruzalemit: rrethuesit vijnë nga një komb i largët dhe ngrenë zërin e tyre kundër qyteteve të Judës.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 4