Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 4:11-24 Bibla Shqip (ALBB)

11. Në atë kohë do t'i thuhet këtij populli dhe Jeruzalemit: "Një erë zhuritëse që vjen nga lartësitë e zhveshura në shkretëtirë dhe fryn në drejtim të bijës së popullit tim, jo për të shoshitur as për të pastruar;

12. një erë edhe më e fortë nga këto do të vijë nga ana ime; tani që unë do të shqiptoj gjykimin tim kundrejt tyre.

13. Ja, si ngjitet si retë dhe qerret e tij si një shakullinë; kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat. Mjerë ne, sepse po shkretohemi!".

14. O Jeruzalem, pastro zemrën tënde nga ligësia, me qëllim që të shpëtosh. Deri kur do të mbeten te ty mendimet e mbrapshta?

15. Sepse një zë njofton nga Dani dhe shpall fatkeqësinë nga mali i Efraimit.

16. "Lajmëroni kombet; po, bëjani të njohur Jeruzalemit: rrethuesit vijnë nga një komb i largët dhe ngrenë zërin e tyre kundër qyteteve të Judës.

17. Si rojtarë të një are janë vendosur rreth e qark tij, sepse ka ngritur krye kundër meje", thotë Zoti.

18. "Sjellja jote dhe veprimet e tua të kanë shkaktuar këto gjëra; kjo do të jetë fatkeqësia jote, dhe do të jetë e hidhur, sepse do të arrijë zemrën tënde".

19. Zorrët e mia, zorrët e mia! Po shtrembërohem nga dhimbja. Oh, faqet e zemrës sime! Zemra më rreh fort përbrenda. Unë nuk mund të hesht, sepse, o shpirti im, kam dëgjuar zërin e borisë, britmën e luftës.

20. Po shpallet rrënim mbi rrënim, sepse tërë vendi është shkretuar. Papritmas çadrat e mia janë shkatërruar, shatorret e mia brenda një çasti.

21. Deri kur do të shoh flamurin dhe do të dëgjoj zërin e borisë?

22. "Po, populli im është budalla, nuk më njeh; janë bij pa mend dhe nuk kanë arsye; janë të zotë të bëjnë të keqen, por nuk dinë të bëjnë të mirën".

23. Shikova tokën, dhe ja, ajo ishte pa formë dhe boshe; qiejt ishin pa dritë.

24. Shikova malet, dhe ja, dridheshin, dhe tërë kodrat lëkundeshin.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 4