Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 39:4-17 Bibla Shqip (ALBB)

4. Me t'i parë, Sedekia, mbreti i Judës, dhe njerëzit e luftës ua mbathën, duke dalë natën nga qyteti nëpër rrugën e kopshtit mbretëror, nëpërmjet portës ndërmjet dy mureve, dhe morën rrugën e Arabahut.

5. Por ushtria e kaldeasve i ndoqi dhe arriti Sedekian në fushat e Jerikos. Kështu e kapën dhe e çuan te Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, në Riblah, në vendin e Hamathit, ku shqiptoi gjykimin e tij mbi të.

6. Pastaj mbreti i Babilonisë bëri që të vriten bijtë e Sedekias para syve të tij në Riblah; mbreti i Babilonisë bëri që të vriten edhe tërë fisnikët e Judës;

7. urdhëroi gjithashtu t'i nxjerrin sytë Sedekias dhe e lidhi me një zinxhir të dyfishtë prej bronzi për ta çuar në Babiloni.

8. Kaldeasit i vunë flakën shtëpisë së mbretit dhe shtëpive të popullit, dhe shkatërruan muret e Jeruzalemit.

9. Pastaj Nebuzaradani, komandanti i rojeve, e çoi në robëri pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet dhe ata që kishin dezertuar nga ana e tij së bashku me pjesën e popullit që kishte mbetur.

10. Por Nebuzaradani, komandanti i rojeve, la në vendin e Judës më të varfrit e popullit që nuk kishin asgjë, duke u dhënë në atë kohë vreshta dhe ara.

11. Por për sa i përket Jeremias, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, i kishte dhënë këtë urdhër Nebuzaradanit, komandantit të rojeve, duke i thënë:

12. "Kape, mbaj sytë mbi të dhe mos i bëj asgjë të keqe, por sillu me të siç do të të thotë ai".

13. Kështu Nebuzaradani, komandanti i rojeve, Nebushazbani, kreu i eunukëve, Nergalsharetseri, Rab-magu dhe gjithë oficerët e tjerë të mbretit të Babilonisë,

14. dërguan të marrin Jeremian nga oborri i burgut dhe ia dorëzuan Gedaljahut, birit të Ahikamit, bir i Shafanit, me qëllim që ta çonte në shtëpi. Kështu ai banoi në mes të popullit.

15. Fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, kur ende ishte i mbyllur në oborrin e burgut, duke thënë:

16. "Shko dhe foli etiopasit Ebed-melek, duke i thënë: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po i realizoj mbi këtë qytet fjalët e mia për shkatërrimin e tij dhe jo për të mirën e tij, dhe atë ditë ato do të vërtetohen para teje.

17. Po atë ditë unë do të të çliroj, thotë Zoti, dhe nuk do të biesh në duart e atyre prej të cilëve ke frikë.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 39