Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 38:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Shefatiahu bir i Metanit, Gedaliahu bir i Pashhurit, Jukali bir i Pashhurit, Jukali, bir i Shelemiahut, dhe Pashhuri bir i Malkiahut, dëgjuan fjalët që Jeremia i drejtonte tërë popullit, duke thënë:

2. "Kështu thotë Zoti: Kush do të mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria ose nga murtaja, por ai që do t'u dorëzohet kaldeasve do të jetojë; do të ketë si pre e tij jetën e tij, por do të jetojë".

3. Kështu thotë Zoti: "Ky qytet do të jepet me siguri në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që do ta pushtojë atë".

4. Atëherë princat i thanë mbretit: "Ah, le të vritet ky njeri, sepse ligështon duart e njerëzve të luftës që kanë mbetur në këtë qytet, dhe duart e tërë popullit, duke u thënë fjalë të tilla. Ky njeri nuk kërkon mirëqenien e këtij populli, por të keqen e tij".

5. Atëherë mbreti Sedekia tha: "Ja ku e keni në duart tuaja, sepse mbreti nuk mund të bëjë asgjë kundër jush".

6. Atëherë e morën Jeremian dhe e hodhën në sternën e Malkiahut, birit të mbretit, që ishte në oborrin e burgut; dhe e zbritën në të Jeremian me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por vetëm baltë, dhe Jeremia u fundos në baltë.

7. Por Ebed-meleku, etiopasi, një eunuk që rrinte në shtëpinë e mbretit, dëgjoi që Jeremian e kishin vënë në sternë. Ndërsa mbreti rrinte ulur te porta e Beniaminit,

8. Ebed-meleku doli nga shtëpia e mbretit dhe i foli mbretit, duke i thënë:

9. "O mbret, imzot, këta njerëz kanë vepruar keq në tërë ato që i kanë bërë profetit Jeremia, duke e hedhur në sternë; aty brenda ai do të vdesë nga uria, sepse nuk ka më bukë në qytet".

10. Atëherë mbreti i dha këtë urdhër etiopasit Ebed-melek: "Merr me vete nga këtu tridhjetë burra dhe nxirre jashtë profetin Jeremia nga sterna para se të vdesë".

11. Kështu Ebed-meleku mori me vete burrat, hyri në shtëpinë e mbretit duke kaluar poshtë vendit të thesarit, mori andej rroba dhe lecka të konsumuara dhe ia zbriti me litarë Jeremias në sternë.

12. Pastaj Ebed-meleku etiopasi i tha Jeremias: "Oh, vëri këto rroba dhe lecka të konsumuara poshtë sqetullave, poshtë litarëve". Jeremia veproi ashtu.

13. Kështu e tërhoqën lart Jeremian me anë të litarëve dhe e bënë të dalë nga sterna. Pastaj Jeremia mbeti në kopshtin e burgut.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 38