Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 37:1-15 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mbreti Sedekia, bir i Josias, që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e kishte bërë mbret në vendin e Judës, mbretëroi në vend të Koniahut, birit të Jehojakimit.

2. Por as ai, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët që Zoti kishte shqiptuar me anë të profetit Jeremia.

3. Mbreti Sedekia dërgoi Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe priftin Sofonia, birin e Maaseiahut, te profeti Jeremia për t'i thënë: "Oh, lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë".

4. Jeremia shkonte e vinte në popull, sepse akoma nuk e kishin shtënë në burg.

5. Ndërkohë ushtria e Faraonit kishte dalë nga Egjipti; sapo kaldeasit që rrethonin Jeruzalemin e mësuan këtë lajm, u larguan nga Jeruzalemi.

6. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua profetit Jeremia, duke thënë:

7. "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Do t'i thoni kështu mbretit të Judës që ju ka dërguar për t'u konsultuar me mua: Ja, ushtria e Faraonit, që kishte dalë për t'ju ndihmuar, do të kthehet në vendin e vet, në Egjipt.

8. Kaldeasit do të kthehen dhe do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta shtien në dorë dhe do t'i vënë flakën".

9. Kështu thotë Zoti: "Mos gënjeni veten duke thënë: "Kaldeasit do të ikin me siguri nga ne", sepse nuk do të ikin.

10. Edhe sikur të arrini ta mundni tërë ushtrinë e kaldeasve që luftojnë kundër jush dhe të mbeteshin vetëm disa të plagosur, këta do të ngriheshin secili në çadrën e vet dhe do t'i vinin flakën këtij qyteti".

11. Ndodhi që, kur ushtria e kaldeasve u largua nga Jeruzalemi për shkak të ushtrisë së Faraonit,

12. Jeremia doli nga Jeruzalemi për të shkuar në vendin e Beniaminit për të marrë pjesën e tij të trashëgimisë në mes të popullit.

13. Por, kur arriti te porta e Beniaminit, ku ishte një kapiten roje që quhej Irijah, biri i Shelemiahut, bir i Hananiahut, ky e arrestoi profetin Jeremia, duke thënë: "Ti je bërë me kaldeasit".

14. Jeremia u përgjigj "Nuk është e vërtetë, unë nuk po bëhem me kaldeasit", por ai nuk ia vuri veshin. Kështu Irijahu e arrestoi Jeremian dhe e çoi te princat.

15. Princat u zemëruan me Jeremian, e rrahën dhe e futën në burg në shtëpinë e shkruesit Jonathan të cilën e kishin kthyer në burg.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 37