Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 35:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti në kohën e Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, duke thënë:

2. "Shko në shtëpinë e rekabitëve dhe folu, silli pastaj në shtëpinë e Zotit, në një nga dhomat, dhe gostiti me verë".

3. Atëherë unë mora Jaazaniahun, birin e Jeremias, bir i Habaziniahut, vëllezërit e tij, tërë bijtë e tij, si dhe tërë shtëpinë e rekabitëve,

4. dhe i çova në shtëpinë e Zotit, në dhomën e bijve të Hananit, birit të Igdaliahut, njeri i Perëndisë, e cila ndodhej pranë dhomës së princave mbi dhomën e Maaseiahut, birit të Shalumit, rojtar i portës.

5. Vendosa pastaj përpara bijve të shtëpisë së rekabitëve enë plot me verë dhe kupa dhe u thashë: "Pini verë".

6. Po ata u përgjigjën: "Ne nuk pimë verë, sepse Jehonadabi, biri i Rekabit, atit tonë, na ka urdhëruar duke thënë: "Nuk do të pini verë përjetë, as ju as bijtë tuaj.

7. Nuk do të ndërtoni shtëpi, nuk do të mbillni asnjë farë, nuk do të bëni asnjë vresht dhe nuk do të zotëroni asnjë prej tyre, por do të banoni në çadra tërë ditët e jetës suaj, në mënyrë që të jetoni gjatë në vendin ku banoni".

8. Kështu ne i jemi bindur zërit të Jehonadabit, birit të Rekabit, atit tonë, në çdo gjë që na ka urdhëruar: të mos pimë verë gjatë gjithë jetës sonë, si ne ashtu edhe gratë tona, bijtë tanë dhe bijat tona;

9. të mos ndërtojmë shtëpi për të banuar dhe të mos kemi as vreshta, as ara dhe as farë.

10. Por ne banojmë në çadra dhe jemi bindur dhe kemi bërë tërë ato që Jehonadabi, ati ynë, na ka urdhëruar.

11. Por ndodhi, që kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, doli kundër vendit, kemi thënë: "Ejani të shkojmë në Jeruzalem, nga frika e ushtrisë së kaldeasve dhe ushtrisë së Sirisë". Dhe kështu u vendosëm në Jeruzalem".

12. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 35