Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 34:8-15 Bibla Shqip (ALBB)

8. Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti, mbas përfundimit të një besëlidhjeje nga mbreti Sedekia me tërë popullin që ishte në Jeruzalem për tu shpallur atyre lirinë:

9. domethënë që secili t'i linte të lirë skllevërit e tij hebrenj, meshkuj ose femra, burra ose gra, me qëllim që askush të mos mbante më si skllav ndonjë vëlla të tij jude.

10. Tërë princat dhe tërë populli që kishin pranuar besëlidhjen, pranuan t'i lëshojnë të lirë skllavin ose skllaven e vet dhe të mos i mbajnë më në skllavëri, dhe kështu i liruan.

11. Por më vonë ndryshuan mendim dhe bënë që të rikthehen skllevërit dhe skllavet që i kishin lëshuar të lirë dhe i nënshtruan përsëri si skllevër dhe skllave të tyre.

12. Fjala e Zotit iu drejtua pastaj Jeremias nga Zoti, duke thënë:

13. "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë lidha një besëlidhje me etërit tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga shtëpia e robërisë, duke thënë:

14. Në krye të shtatë vjetëve secili do të lëshojë të lirë vëllanë e tij hebre që i është shitur atij; ai do të të shërbejë gjashtë vjet, pastaj do ta lësh të lirë. Por etërit tuaj nuk mu bindën dhe nuk ma vunë veshin.

15. Ju sot nisët të bëni atë që është e drejtë në sytë e mi, duke shpallur secili lirinë e vëllait të vet, dhe keni lidhur një besëlidhje para meje, në tempull, ku përmendet emri im.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 34