Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 34:1-8 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala që i drejtua nga Zoti Jeremias, kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, me gjithë ushtrinë e tij dhe tërë mbretëritë e tokave mbi të cilat ai sundonte dhe gjithë popujt luftonin kundër Jeruzalemit

2. "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shko dhe foli Sedekias, mbretit të Judës dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë ia jap këtë qytet në dorë mbretit të Babilonisë, i cili do t'i vërë flakën.

3. Ti nuk do të shpëtosh nga dora e tij, por do të kapesh me siguri dhe do të biesh në pushtetin e tij; sytë e tu do të shohin sytë e mbretit të Babilonisë, ai do të të flasë ballë për ballë dhe ti do të shkosh në Babiloni".

4. Megjithatë dëgjo fjalën e Zotit, o Sedekia, mbreti i Judës: "Kështu thotë Zoti për ty: Nuk ke për të vdekur nga shpata.

5. Por do të vdesësh në paqe; dhe ashtu si dogjën aroma për etërit e tu, mbretërit e lashtë që ishin para teje, kështu do të djegin aroma për ty dhe do të mbajnë zi duke thënë: "Vaj medet, Zot!". Po, unë e shqiptova këtë fjalë", thotë Zoti.

6. Profeti Jeremia ia tha tërë këto fjalë Sedekias, mbretit të Judës, në Jeruzalem,

7. ndërsa ushtria e mbretit të Babilonisë luftonte kundër Jeruzalemit dhe kundër të gjitha qyteteve të Judës që akoma ekzistonin, domethënë kundër Lakishit dhe Azekahut, që ishin të vetmet qytete të fortifikuara që mbetën nga qytetet e Judës.

8. Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti, mbas përfundimit të një besëlidhjeje nga mbreti Sedekia me tërë popullin që ishte në Jeruzalem për tu shpallur atyre lirinë:

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 34