Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 33:5-16 Bibla Shqip (ALBB)

5. Ata do të vijnë të luftojnë kundër kaldeasve, por vetëm për t'i mbushur me kufoma njerëzish, që unë do të godas në zemërimin tim dhe në tërbimin tim, sepse do ta fsheh fytyrën time nga ky qytet për shkak të gjithë ligësisë së tyre.

6. Ja, unë do t'i sjell atij mirëqenie dhe shërim; do t'i shëroj dhe do t'u zbuloj atyre bollëkun e paqes dhe të së vërtetës.

7. Do të bëj që të kthehen të mërguarit e Judës dhe të mërguarit e Izraelit dhe do t'i vendos përsëri si më parë.

8. Do t'i pastroj nga çdo paudhësi e tyre me të cilën kanë mëkatuar kundër meje dhe do t'ua fal të gjitha paudhësitë e tyre me të cilat kanë mëkatuar dhe me të cilat kanë ngritur krye kundër meje.

9. Dhe ky qytet do të ketë për mua një titull gëzimi, lëvdimi dhe lavdie përpara gjithë kombeve të dheut, kur ato të mësojnë gjithë të mirën që unë u bëj atyre; dhe do të kenë frikë e do të dridhen për shkak të gjithë mirësisë dhe të gjithë paqes që unë do t'i sjell atij".

10. Kështu thotë Zoti: "Në këtë vend për të cilin ju thoni: "Është një shkreti, që nuk ka më as njerëz as kafshë", në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit që janë të shkreta, që nuk ka më as njerëz as kafshë, do të dëgjohen akoma

11. britma gëzimi dhe britma hareje, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses, zëri i atyre që thonë: "Kremtoni Zotin e ushtrive, sepse Zoti është i mirë, sepse mirësia e tij zgjat përjetë", dhe të atyre që sjellin oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit. Sepse unë do të bëj që të kthehen të mërguarit në vend dhe do t'i vendos përsëri si më parë", thotë Zoti.

12. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në këtë vend që është një shkreti, ku s'ka më njeri a kafshë, dhe në të gjitha qytetet e tij do të këtë akoma banesa të barinjve ku do të pushojnë kopetë e tyre.

13. Në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, në vendin e Benianimit, në rrethinat e Jeruzalemit dhe në qytetet e Judës, dhentë do të kalojnë akoma nga dora e atij që i numëron", thotë Zoti.

14. "Ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "gjatë të cilave unë do të realizoj fjalën e mirë që kam shqiptuar për shtëpinë e Izraelit dhe për shtëpinë e Judës.

15. Në ato ditë dhe në atë kohë do të bëj që të mbijë për Davidin një filiz drejtësie, që do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

16. Ato ditë Juda do të shpëtohet dhe Jeruzalemi do të banojë i sigurt. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti, drejtësia jonë"".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 33