Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 33:14-22 Bibla Shqip (ALBB)

14. "Ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "gjatë të cilave unë do të realizoj fjalën e mirë që kam shqiptuar për shtëpinë e Izraelit dhe për shtëpinë e Judës.

15. Në ato ditë dhe në atë kohë do të bëj që të mbijë për Davidin një filiz drejtësie, që do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

16. Ato ditë Juda do të shpëtohet dhe Jeruzalemi do të banojë i sigurt. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti, drejtësia jonë"".

17. Në fakt kështu thotë Zoti: "Nuk do t'i mungojë kurrë Davidit dikush që të ulet mbi fronin e shtëpisë së Izraelit,

18. dhe priftërinjve levitë nuk do t'u mungojë kurrë para meje dikush që ofron holokauste, që tymos ofertat ushqimore dhe që kryen flijime çdo ditë".

19. Fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

20. "Kështu thotë Zoti: Në qoftë se ju mund të anuloni besëlidhjen time me ditën dhe besëlidhjen time me natën, në mënyrë që mos ketë më ditë a natë në kohën e tyre,

21. atëherë do të mund të anulohet edhe besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim, në mënyrë që të mos ketë një bir që të mbretërojë mbi fronin e tij, dhe me priftërinjtë levitë, priftërinj të mi.

22. Ashtu si nuk mund të njehsohet ushtria e qiellit as të matet rëra e detit, ashtu unë do t'i shumoj pasardhësit e Davidit, shërbëtorit tim, dhe levitët që më shërbejnë".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 33