Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 32:19-31 Bibla Shqip (ALBB)

19. Ti je i madh për këshilla dhe i fuqishëm për vepra dhe i ke sytë çelë mbi të gjitha rrugët e bijve të njerëzve, për t'i dhënë secilit sipas veprave të veta dhe sipas frytit të veprimeve të veta.

20. Ti ke bërë deri në ditën e sotme shenja dhe mrekulli në vendin e Egjiptit, në Izrael dhe në mes njerëzve të tjerë dhe ke fituar një emër si ai i këtyre ditëve.

21. Ti e nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me shenja dhe mrekulli, me dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë dhe me tmerr të madh.

22. Ti u dhe atyre këtë vend që ishe betuar t'ua jepje etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.

23. Ata hynë dhe e futën në dorë, nuk i janë bindur zërit tënd dhe nuk ecën në rrugën e ligjit tënd, nuk kanë bërë të gjitha ato që u kishe urdhëruar të bënin; prandaj ti solle mbi ta tërë këtë fatkeqësi.

24. Ja, ledhet arrijnë deri në qytet për ta shtënë në dorë; dhe qyteti lihet në dorë të kaldeasve që luftojnë kundër tij me shpatën, me urinë dhe murtajën. Ndodhi ajo që ti ke thënë; ja, ti e shikon.

25. Megjithatë o Zot, o Zot, ti më ke thënë: "Bli me para fushën dhe thirr dëshmitarët, ndërsa qyteti është dhënë në dorë të kaldeasve"".

26. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias duke thënë:

27. "Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?".

28. Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e kaldeasve, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, i cili do ta marrë.

29. Kaldeasit që luftojnë kundër këtij qyteti do të hyjnë në të, do t'i vënë zjarrin këtij qyteti dhe do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan Baalit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim.

30. Sepse bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë vetëm atë që është e keqe në sytë e mi qysh në fëmijërinë e tyre. Në fakt bijtë e Izraelit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të provokonin zemërimin tim me veprën e duarve të tyre, thotë Zoti.

31. Sepse ky qytet, që nga dita që u ndërtua deri më sot, ka qenë për mua një provokim i zemërimit dhe i tërbimit tim; prandaj do ta zhduk nga prania ime,

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 32