Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 31:26-36 Bibla Shqip (ALBB)

26. Pas kësaj unë u zgjova dhe vështrova, dhe gjumi im qe i ëmbël.

27. "Ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të mbjell shtëpinë e Izraelit dhe shtëpinë e Judës me farë njerëzish dhe me farë kafshësh.

28. Dhe do të ndodhë që ashtu si jam kujdesur për ta për të çrrënjosur, për të shembur dhe për të rrëzuar, për të shkatërruar dhe për të bërë të keqen, po ashtu do të kujdesem për ta për të ndërtuar dhe për të mbjellë", thotë Zoti.

29. "Në ato ditë nuk do të thuhet më: "Etërit kanë ngrënë rrush të papjekur dhe dhëmbët e bijve mbetën të mpirë".

30. Por secili do të vdesë për paudhësinë e tij; kushdo që ha rrush të papjekur do t'i mpihen majat e dhëmbëve.

31. Ja do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës;

32. jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t'i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre", thotë Zoti.

33. "Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve", thotë Zoti: "Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im.

34. Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: "Njihni Zotin!", sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi", thotë Zoti. "Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre".

35. Kështu thotë Zoti, që ka dhënë diellin për dritën e ditës dhe i ka dhënë ligje hënës dhe yjeve për dritën e natës, që e larton detin dhe i bën dallgët të uturijnë, emri i të cilit është Zoti, i ushtrive.

36. "Në qoftë se këto ligje do të binin përpara meje", thotë Zoti, "atëherë edhe pasardhësit e Izraelit do të pushonin së qeni një komb përpara meje përjetë".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 31