Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 31:11-29 Bibla Shqip (ALBB)

11. Sepse Zoti ka shpenguar Jakobin, e ka çliruar nga dora e një njeriu më të fortë se ai.

12. Ata do të vijnë dhe do të këndojnë me gëzim në lartësitë e Sionit, do të vërshojnë drejt të mirave të Zotit, drejt grurit, verës dhe vajit, dhe drejt atyre që kanë lindur në kope dhe në grigjë; jeta e tyre do të jetë si një kopsht i vaditur dhe nuk do të vuajnë më.

13. Atëherë virgjëresha do të gëzohet në valle dhe të rinjtë bashkë me pleqtë, sepse do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim, do t'i ngushëlloj dhe do t'i gëzoj mbas dhembjes së tyre.

14. Do të ngop shpirtin e priftërinjve me të madhe dhe populli im do të mbushet me të mirat e mia", thotë Zoti.

15. Kështu thotë Zoti: "U dëgjua një zë në Ramah, një vajtim dhe një e qarë e hidhur: Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet për ta, sepse ata nuk janë më".

16. Kështu thotë Zoti: "Mbaje zërin tënd nga e qara, sytë e tu nga të derdhurit lot, sepse vepra jote do të shpërblehet", thotë Zoti; "ata do të kthehen nga vendi i armikut.

17. Ka shpresa për pasardhësit e tu", thotë Zoti; "bijtë e tu do të kthehen brenda kufijve të tyre.

18. Kam dëgjuar vazhdimisht Efraimin të ankohet: "Ti më ke dënuar dhe unë jam dënuar si një dem i ri i panënshtruar; më bëj të kthehem dhe unë do të kthehem, sepse ti je Zoti, Perëndia im.

19. Mbasi mora rrugë të keqe, u pendova; mbasi e pranova gjendjen time, kam rrahur ijën time. Më erdhi turp dhe ndjeva hutim, sepse mbaj turpin e rinisë sime".

20. A është, pra, Efraimi një bir i dashur për mua, një bir i kënaqësive të mia? Në fakt, megjithëse kam folur kundër tij, e kujtoj akoma fort. Prandaj të përbrendshmet e mia mallëngjehen për të dhe me siguri do të kem mëshirë për të", thotë Zoti.

21. "Ngreh për vete disa trungje, bëj disa shtylla treguese, ki shumë kujdes për rrugën, për udhën që ke ndjekur. Kthehu, o virgjëreshë e Izraelit, kthehu në këto qytete të tua.

22. Deri kur do të shkosh duke u endur, o bijë rebele? Sepse Zoti krijon një gjë të re mbi tokë: gruan që kërkon ta bëjë për vete burrin".

23. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Do të thuhet ende kjo fjalë në vendin e Judës dhe në qytetet e veta, kur t'i kem kthyer ata nga robëria: "Zoti të bekoftë, o seli e drejtësisë, o mal i shenjtërisë!".

24. Aty do të banojnë Juda dhe të gjitha qytetet e tij bashkë, bujqit dhe ata që drejtojnë kopetë.

25. Sepse unë do të ngij shpirtin e lodhur dhe do të plotësoj çdo shpirt që vuan".

26. Pas kësaj unë u zgjova dhe vështrova, dhe gjumi im qe i ëmbël.

27. "Ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të mbjell shtëpinë e Izraelit dhe shtëpinë e Judës me farë njerëzish dhe me farë kafshësh.

28. Dhe do të ndodhë që ashtu si jam kujdesur për ta për të çrrënjosur, për të shembur dhe për të rrëzuar, për të shkatërruar dhe për të bërë të keqen, po ashtu do të kujdesem për ta për të ndërtuar dhe për të mbjellë", thotë Zoti.

29. "Në ato ditë nuk do të thuhet më: "Etërit kanë ngrënë rrush të papjekur dhe dhëmbët e bijve mbetën të mpirë".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 31