Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 31:1-8 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Në atë kohë", thotë Zoti, "unë do të jem Perëndia i të gjitha familjeve të Izraelit, dhe ato do të jenë populli im".

2. Kështu thotë Zoti: "Populli që shpëtoi nga shpata ka gjetur hir në shkretëtirë; unë do t'i jap prehje Izraelit".

3. Shumë kohë më parë Zoti m'u shfaq duke thënë: "Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.

4. Unë do të të rindërtoj dhe ti do të rindërtohesh, o virgjëreshë e Izraelit. Do të zbukurohesh përsëri me dajret e tua dhe do të dalësh në mes të valleve të atyre që bëjnë festë.

5. Do të mbjellësh përsëri vreshta mbi malet e Samarias; mbjellësit do të mbjellin dhe do të vjelin frytin e tyre.

6. Do të vijë dita kur rojet do të bërtasin në malin Efraim: "Çohuni, të ngjitemi në Sion, tek Zoti, Perëndia ynë"".

7. Sepse kështu thotë Zoti: "Ngrini këngë gëzimi për Jakobin dhe lëshoni britma për të parin e kombeve; shpallni, këndoni lëvdata dhe thoni: O Zot, shpëto popullin tënd, atë që mbeti nga Izraeli.

8. Ja, unë po i kthej nga vendi i veriut dhe po i grumbulloj nga skajet e tokës. Midis tyre është i verbëri dhe çalamani, gruaja me barrë dhe bashkë me të ajo që ka për të pjellë: një turmë e madhe do të kthehet këtu.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 31