Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 3:14-25 Bibla Shqip (ALBB)

14. "Kthehuni, o bij të përdalë", thotë Zoti, "sepse unë kam pushtet mbi ju. Do t'ju marr një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje dhe do t'ju çoj përsëri në Sion.

15. Do t'ju jap pastaj barinj sipas zemrës sime, që do t'ju kullosin me dije dhe dituri.

16. Dhe ka për të ndodhur që kur të shumoheni dhe do të jeni pjellorë në vend, në ato ditë", thotë Zoti, "nuk do të thuhet më: "Arka e besëlidhjes të Zotit". Nuk do t'ju shkojë më ndër mend, nuk do ta kujtojnë më, nuk do të shkojnë ta shikojnë më, nuk do të bëhet një tjetër.

17. Atëherë Jeruzalemi do të quhet "Froni i Zotit"; tërë kombet do të mblidhen pranë tij në emër të Zotit, në Jeruzalem, dhe nuk do të ecin më sipas kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe.

18. Në ato ditë shtëpia e Judës do të ecë me shtëpinë e Izraelit dhe së bashku do të vijnë nga vendi i veriut në vendin që u dhashë si trashëgimi etërve tuaj.

19. Unë thosha: "Me çfarë dëshire do të të vendosja midis bijve të mi dhe do të të jepja një vend të mrekullueshëm, një trashëgimi të shkëlqyer midis gjithë kombeve!". Thosha: "Ti do të më quash: Ati im!, dhe nuk do të largohesh më nga unë".

20. Por ashtu si një grua nuk është besnike ndaj burrit të saj, kështu ju keni qenë jobesnikë ndaj meje, o shtëpia e Izraelit", thotë Zoti.

21. Një zë dëgjohet në lartësitë; të qarat dhe lutjet e bijve të Izraelit, sepse kanë prishur rrugën e tyre dhe kanë harruar Zotin, Perëndinë e tyre.

22. "Kthehuni, o bij të përdalë, unë do të shëroj rebelimet tuaja". "Ja, ne po vijmë te ti, sepse ti je Zoti, Perëndia ynë.

23. Me siguri ndihma që pritet nga kodrat e nga numri i madh i maleve është e kotë; me siguri shpëtimi i Izraelit qëndron te Zoti, Perëndia ynë.

24. Ajo gjë e neveritshme ka përpirë frytin e mundit të etërve tanë qysh prej rinisë sonë, delet dhe qetë e tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre.

25. Le të biem në shtrat me turpin tonë dhe le të na mbulojë poshtërsia jonë, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tonë, ne dhe etërit tanë qysh prej rinisë sonë e deri në këtë ditë, dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 3