Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 29:2-13 Bibla Shqip (ALBB)

2. (Kjo ndodhi mbasi dolën nga Jeruzalemi mbreti Jekoniah, mbretëresha, eunukët, princat e Judës dhe të Jeruzalemit, zejtarët dhe kovaçët).

3. Letra u dërgua me anë të Elasahut, birit të Shafanit, dhe me anë të Gemariahut, birit të Hilkiahut, që Sedekia, mbret i Judës, kishte dërguar në Babiloni te Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë. Ajo thoshte:

4. "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, tërë të internuarve që unë kam çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni:

5. Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frytet e tyre.

6. Merrni gra dhe bëni bij dhe bija, merrni gra për bijtë tuaj dhe martojini vajzat tuaja që të lindin bij dhe bija, me qëllim që atje të shumoheni dhe të mos pakësoheni.

7. Kërkoni të mirën e qytetit ku ju kam çuar në robëri dhe lutjuni Zotit për të, sepse mirëqenia juaj varet nga mirëqenia e tij.

8. Kështu thotë në të vërtetë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Të mos ju mashtrojnë profetët dhe shortarët tuaj që janë midis jush, mos merrni parasysh ëndrrat që shikoni.

9. Sepse ju profetizojnë në mënyrë të rreme në emrin tim; unë nuk i kam dërguar", thotë Zoti.

10. "Kështu thotë Zoti: Kur të mbushen shtatëdhjetë vjet për Babiloninë, unë do t'ju vizitoj dhe do ta realizoj fjalën time të mirë, duke bërë të riktheheni në këtë vend.

11. Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju", thotë Zoti, "mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t'ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.

12. Do të më kërkoni dhe do të vini të më luteni, dhe unë do t'ju kënaq.

13. Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 29