Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 29:13-30 Bibla Shqip (ALBB)

13. Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.

14. Unë do të bëj që ju të më gjeni", thotë Zoti, "dhe do t'ju kthej nga robëria juaj; do t'ju mbledh nga të gjitha kombet dhe nga të gjitha vendet ku ju kam shpërndarë", thotë Zoti; "dhe do t'ju çoj përsëri në vendin prej të cilit ju çova në robëri.

15. Sepse thoni: "Zoti na ka ngjallur profetë në Babiloni",

16. kështu thotë Zoti për mbretin që rri mbi fronin e Davidit, për këtë popullin që banon në këtë qytet, për vëllezërit tuaj që nuk kanë shkuar bashkë me ju në robëri";

17. po, kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë dhe murtajën, dhe do t'i bëj si fiq të neveritshëm që nuk mund të hahen sepse janë shumë të këqij.

18. Do t'i ndjek me shpatën, me urinë dhe me murtajën; do të bëj që të trajtohen keq në të gjitha mbretëritë e tokës dhe të jenë një mallkim, një objekt habie, një tallje dhe një turp midis kombeve ku i kam shpërndarë,

19. sepse nuk i kanë dëgjuar fjalët e mia", thotë Zoti, "që unë u dërgova atyre me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve, me urgjencë dhe këmbëngulje; por ju nuk më keni dëgjuar", thotë Zoti.

20. Dëgjoni, pra, fjalën e Zotit, o ju të gjithë, që unë dërgova në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni!

21. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për Ashabin, birin e Kolajahut, dhe për Sedekian, birin e Maaseiahut, që ju profetizojnë gënjeshtra në emrin tim: Ja, unë do t'i lë në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ai do t'i vrasë para syve tuaj.

22. Prej tyre do të nxirret një formulë mallkimi që do të përdoret nga të gjithë ata që janë në robëri në Babiloni, dhe do të thuhet: "Zoti të trajtoftë si Sedekian dhe Ashabin, që mbreti i Babilonisë ka pjekur në zjarr!"

23. Sepse ata kanë kryer gjëra të turpshme në Izrael, kanë shkelur kurorën me gratë e të afërmve të tyre, kanë shqiptuar në emrin tim fjalë të rreme, që nuk u kisha urdhëruar atyre. Unë vetë e di dhe jam dëshmitar i tyre, thotë Zoti.

24. Do të flasësh gjithashtu me Shemajahun, Nehelamitin, duke thënë:

25. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ti ke dërguar në emrin tënd letra tërë popullit që është në Jeruzalem, priftit Sofonia, birit të Maaseiahut, dhe të gjithë priftërinjve, duke thënë:

26. "Zoti të ka caktuar prift në vend të priftit Jehojada, me qëllim që të ketë kryeintendentë në shtëpinë e Zotit për të mbikëqyrur çdo njeri të marrë që bën profetin, me qëllim që ti ta futësh në burg dhe ta mbash në pranga".

27. Dhe tani pse nuk e ke qortuar Jeremian nga Anathothi që bën profetin midis jush?

28. Në fakt ai na ka dërguar fjalë në Babiloni: "Robëria do të jetë e gjatë, ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frytet e tyre"".

29. Prifti Sofonia e lexoi këtë letër në prani të profetit Jeremia.

30. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 29