Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 27:7-17 Bibla Shqip (ALBB)

7. Kështu tërë kombet do t'i shërbejnë atij, birit të tij dhe birit të birit të tij, derisa të vijë koha edhe për vendin e tij; atëherë shumë kombe me mbretër të fuqishëm do ta katandisin në robëri.

8. Dhe do të ndodhë që kombi ose mbretëria që nuk do të dëshirojë t'i shërbejë atij, Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, atë komb unë do ta dënoj"", thotë Zoti, "me shpatën, me urinë dhe me murtajën, derisa t'i kem shfarosur me dorë të tij.

9. Prandaj mos dëgjoni profetët tuaj, as shortarët tuaj, as ata që shikojnë ëndrra, as magjistarët tuaj që ju thonë: "Nuk do të robëroheni nga mbreti i Babilonisë!".

10. Po, ata ju profetizojnë gënjeshtra që t'ju largojnë nga vendi juaj, që unë t'ju shpërndaj dhe ju të vdisni.

11. Por kombin që do ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë dhe do t'i shërbejë atij, unë do ta lë në vendin e tij", thotë Zoti, "dhe ai do ta punojë dhe do të qëndrojë aty".

12. Unë i fola, pra, Sedekias, mbretit të Judës, në përputhje me tërë këto fjalë dhe i thashë: "Përkulni qafën tuaj nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, i shërbeni atij dhe popullit të tij dhe do të jetoni.

13. Pse ti dhe populli yt dëshironi të vdisni nga shpata, nga uria dhe nga murtaja, ashtu si ka folur Zoti kundër kombit që nuk dëshiron t'i shërbejë mbretit të Babilonisë?

14. Prandaj mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju thonë: "Nuk do t'i shërbeni mbretit të Babilonisë", sepse ju profetizojnë gënjeshtrën".

15. "Sepse unë nuk i kam dërguar", thotë Zoti, "por ata profetizojnë gënjeshtrën në emrin tim, me qëllim që unë t'ju shpërndaj dhe ju të vdisni, ju dhe profetët që ju profetizojnë".

16. U fola gjithashtu priftërinjve dhe tërë këtij populli, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Mos dëgjoni fjalët e profetëve tuaj që ju profetizojnë duke thënë: "Ja, tani orenditë e shtëpisë të Zotit do të kthehen shpejt nga Babilonia", sepse ju profetizojnë gënjeshtrën.

17. Mos i dëgjoni ata! I shërbeni mbretit të Babilonisë dhe keni për të jetuar. Pse ky qytet duhet të katandiset në një shkretinë?

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 27