Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 27:13-22 Bibla Shqip (ALBB)

13. Pse ti dhe populli yt dëshironi të vdisni nga shpata, nga uria dhe nga murtaja, ashtu si ka folur Zoti kundër kombit që nuk dëshiron t'i shërbejë mbretit të Babilonisë?

14. Prandaj mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju thonë: "Nuk do t'i shërbeni mbretit të Babilonisë", sepse ju profetizojnë gënjeshtrën".

15. "Sepse unë nuk i kam dërguar", thotë Zoti, "por ata profetizojnë gënjeshtrën në emrin tim, me qëllim që unë t'ju shpërndaj dhe ju të vdisni, ju dhe profetët që ju profetizojnë".

16. U fola gjithashtu priftërinjve dhe tërë këtij populli, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Mos dëgjoni fjalët e profetëve tuaj që ju profetizojnë duke thënë: "Ja, tani orenditë e shtëpisë të Zotit do të kthehen shpejt nga Babilonia", sepse ju profetizojnë gënjeshtrën.

17. Mos i dëgjoni ata! I shërbeni mbretit të Babilonisë dhe keni për të jetuar. Pse ky qytet duhet të katandiset në një shkretinë?

18. Në rast se janë profetë dhe fjala e Zotit është me ta, le të ndërhyjnë tani pranë Zotit të ushtrive në mënyrë që orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem, të mos shkojnë në Babiloni".

19. Kështu thotë Zoti i ushtrive për shtyllat, detin, qerret dhe pjesën tjetër të orendive që kanë mbetur në këtë qytet,

20. të cilat Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, nuk i mori, kur internoi Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, nga Jeruzalemi në Babiloni së bashku me tërë fisnikët e Judës dhe të Jeruzalemit;

21. po, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem:

22. "Do të çohen në Babiloni dhe aty do të mbeten, derisa t'i kërkoj unë", thotë Zoti, "dhe do të bëj të dalin përsëri dhe të kthehen në këtë vend".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 27