Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 26:5-17 Bibla Shqip (ALBB)

5. dhe duke u kushtuar kujdes fjalëve të shërbëtorëve të mi, të profetëve, që ju kam dërguar me urgjencë dhe këmbëngulje (por që ju nuk i keni dëgjuar),

6. unë do ta bëj këtë tempull si Shilohun dhe do ta kthej këtë qytet në një mallkim për të gjitha kombet e tokës".

7. Kështu priftërinjtë, profetët dhe tërë populli dëgjuan Jeremian që shqiptonte këto fjalë në shtëpinë e Zotit.

8. Dhe ndodhi që, sapo Jeremia mbaroi së shqiptuari tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar t'i thoshte gjithë popullit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli e kapën dhe i thanë: "Ti duhet të vdesësh!

9. Pse ke profetizuar në emër të Zotit, duke thënë: "Ky tempull do të jetë si Shilohu dhe ky qytet do të shkatërrohet dhe do të jetë pa banorë"?". Tërë populli u mblodh kundër Jeremias në shtëpinë e Zotit.

10. Kur princat e Judës dëgjuan këto gjëra, u ngjitën nga shtëpia e mbretit në shtëpinë e Zotit dhe u ulën në hyrje të portës së re të shtëpisë të Zotit.

11. Pastaj priftërinjtë dhe profetët u folën princave dhe tërë popullit, duke thënë: "Ky njeri meriton vdekjen, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti, siç e keni dëgjuar me veshët tuaj".

12. Atëherë Jeremia u foli tërë princave dhe të gjithë popullit, duke thënë: "Zoti më ka dërguar të profetizoj kundër kësaj shtëpie dhe kundër këtij qyteti tërë gjërat që keni dëgjuar.

13. Prandaj korrigjoni tani rrugët dhe veprimet tuaja dhe dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shqiptuar kundër jush.

14. Sa për mua, unë jam në duart tuaja; veproni me mua ashtu siç ju duket e mirë dhe e drejtë.

15. Por dijeni me siguri që, në qoftë se më bëni të vdes, do të tërhiqni gjak të pafajshëm mbi vete, mbi këtë qytet dhe mbi banorët e tij, sepse Zoti më ka dërguar me të vërtetë pranë jush, që t'u deklaroj veshëve tuaj tërë këto fjalë".

16. Atëherë princat dhe tërë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: "Ky njeri nuk meriton vdekjen, sepse na ka folur në emër të Zotit, Perëndisë tonë".

17. Pastaj u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i folën tërë kuvendit të popullit, duke thënë:

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 26