Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 25:25-38 Bibla Shqip (ALBB)

25. tërë mbretërit e Zimrit, tërë mbretërit e Elamit, tërë mbretërit e Medias

26. dhe tërë mbretërit e veriut, që janë afër ose larg, si njëri ashtu edhe tjetri, dhe tërë mbretëritë e botës që janë mbi faqen e dheut. Dhe mbreti i Sheshakut do të pijë mbas tyre.

27. "Ti, pra, do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pini, dehuni dhe villni; rrëzohuni pa u ngritur më nga shpata që do të dërgoj në mes jush.

28. Dhe në qoftë se nuk pranojnë nga dora jote kupën e pirjes, u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ju pa tjetër do të pini.

29. Sepse ja, unë po filloj të dënoj qytetin në të cilin përmendet emri im, dhe ju do të mbeteni plotësisht pa u ndëshkuar? Jo, nuk do të mbeteni të pandëshkuar, sepse unë do të thërres shpatën mbi të gjithë banorët e tokës", thotë Zoti i ushtrive.

30. "Prandaj profetizo kundër tyre tërë këto gjëra dhe u thuaj atyre: Zoti vrumbullon që lart dhe bën që të dëgjohet zëri i tij nga banesa e tij e shenjtë; ai do të vrumbullojë me forcë kundër vathës

31. Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet, do të hyjë në gjyq me çdo mish të gjallë dhe do t'i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës, thotë Zoti".

32. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, një mjerim do të kalojë nga një komb te tjetri dhe një shakullinë e madhe do të ngrihet nga skajet e tokës.

33. Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri; nuk do të qahen dhe as do të mblidhen dhe do të varrosen, por do të bëhen pleh mbi faqen e dheut.

34. Bërtisni, o barinj, klithni: rrotullohuni në pluhur, o drejtues të kopesë, sepse ditët e therjes suaj janë plotësuar, dhe do të rrëzoheni si një enë e çmuar.

35. Barinjtë nuk do të kenë asnjë mundësi të ikin, dhe rojet e kopesë asnjë rrugë shpëtimi.

36. Do të dëgjohet britma e barinjve dhe rënkimi i drejtuesve të kopesë, sepse Zoti është duke shkatërruar kullotën e tyre,

37. dhe vathët e qeta janë shkatërruar për shkak të zemërimit të madh të Zotit.

38. Ai e ka lënë si një luan i vogël strehën e tij, sepse vendi i tyre është bërë një shkretëtirë për shkak të tërbimit të shtypësit, për shkak të zemërimit të zjarrtë të Zotit".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 25