Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 25:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala që iu drejtua Jeremias për tërë popullin e Judës, në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës (që ishte viti i parë i Nebukadnetsarit, mbret i Babilonisë),

2. dhe që Jeremia shqiptoi përpara tërë popullit të Judës dhe tërë banorëve të Jeruzalemit, duke thënë:

3. "Nga viti i trembëdhjetë i Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, deri në këtë ditë janë njëzet e tre vjet që fjala e Zotit më është drejtuar, dhe unë ju kam folur me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk më keni dëgjuar.

4. Zoti ju ka dërguar gjithashtu tërë shërbëtorët e tij, profetët me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk e keni dëgjuar as keni vënë veshin për të dëgjuar.

5. Ata thoshin: "Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe dhe nga veprimet e liga, dhe do të banoni në vendin që Zoti ju ka dhënë juve dhe etërve tuaj ngaherë dhe përgjithnjë.

6. Mos shkoni mbas perëndive të tjera për t'u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, mos provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, dhe unë nuk do t'ju bëj asnjë të keqe".

7. Por ju nuk më keni dëgjuar", thotë Zoti, "dhe keni provokuar zemërimin tim me veprën e duarve tuaja në dëmin tuaj.

8. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia;

9. ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut", thotë Zoti, "dhe Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim, dhe do t'i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t'i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.

10. Do të bëj të heshtin në mes tyre britmat e gëzimit dhe të kënaqësisë, zëri i dhëndrit dhe ai i nuses, zhurma e mokrës dhe drita e llambës.

11. Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie dhe këta kombe do t'i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet me radhë".

12. "Po kur të mbushen shtatëdhjetë vjet, unë do ta dënoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, vendin e kaldeasve", thotë Zoti, "për shkak të paudhësisë së tyre, dhe do ta katandis në një shkretim të përjetshëm.

13. Kështu do të sjell në këtë vend tërë gjërat që kam shpallur kundër tij, tërë gjërat që janë shkruar në këtë libër dhe që Jeremia ka profetizuar kundër të gjitha kombeve.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 25