Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 23:4-17 Bibla Shqip (ALBB)

4. Do të caktoj mbi to barinj që do t'i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre", thotë Zoti.

5. "Ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

6. Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti drejtësia jonë".

7. Pra, ditët po vijnë", thotë Zoti, "gjatë të cilave nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që i nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit",

8. por: "Për Zotin e gjallë që nxori dhe çoi përsëri pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga vendi i veriut dhe nga të tëra vendet ku i kisha shpërndarë"; dhe ata do të qëndrojnë në vendin e tyre".

9. Zemra ime është thyer brenda meje për shkak të profetëve, tërë kockat e mia dridhen. Jam si një i dehur, si një njeri i mposhtur nga vera, për shkak të Zotit dhe fjalëve të tij të shenjta.

10. Sepse vendi është plot me shkelës të kurorës, për shkak të mallkimit vendi është në zi, kullotat e shkretëtirës janë tharë. Vrapi i tyre është i mbrapshtë dhe forca e tyre nuk është e drejtë.

11. "Si prifti ashtu edhe profeti janë prishur; po, e kam gjetur ligësinë e tyre edhe në vetë shtëpinë time", thotë Zoti.

12. "Prandaj rruga e tyre do të jetë për ta si shtigje ku njeriu shket; do të shtyhen në errësirë dhe do të rrëzohen nëpër to, sepse do të bëj që të bjerë mbi ta një gjëmë, në vitin e dënimit të tyre", thotë Zoti.

13. "Kam vërejtur budallallëqe midis profetëve të Samarias: profetizonin në emër të Baalit dhe e çonin në rrugë të keqe popullin tim të Izraelit.

14. Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora".

15. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: "Ja, unë do t'i ushqej me pelin dhe do t'i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin".

16. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqij; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.

17. U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: "Zoti ka thënë: Do të keni paqe"; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: "Asnjë e keqe nuk do t'ju vijë".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 23