Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 23:14-29 Bibla Shqip (ALBB)

14. Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora".

15. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: "Ja, unë do t'i ushqej me pelin dhe do t'i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin".

16. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqij; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.

17. U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: "Zoti ka thënë: Do të keni paqe"; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: "Asnjë e keqe nuk do t'ju vijë".

18. Por kush ka marrë pjesë në këshillën e Zotit? Kush ka parë, kush ka dëgjuar fjalën e tij? Kush i ka kushtuar kujdes fjalës së tij dhe e ka dëgjuar?

19. Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve.

20. Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet derisa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; ditët e fundit do të kuptoni fare mirë.

21. Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.

22. Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time, atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.

23. A jam unë vetëm një Perëndi nga afër", thotë Zoti, "apo dhe një Perëndi nga larg?

24. A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?", thotë Zoti. "A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?", thotë Zoti.

25. "Kam dëgjuar atë që thonë profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: "Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr!".

26. Deri kur do të vazhdojë kjo në zemrën e këtyre profetëve që profetizojnë gënjeshtra dhe profetizojnë mashtrimin e zemrës së tyre?

27. Ata mendojnë që populli im do të harrojë emrin tim me ëndrrat e tyre që i tregojnë njëri-tjetrit, ashtu si etërit e tyre harruan emrin tim për Baalin.

28. Profeti që pa një ëndërr le ta tregojë ëndrrën, por ai që ka fjalën time le ta kallëzojë atë me besnikëri. Ç'punë ka kashta me grurin?", thotë Zoti.

29. "A nuk është fjala ime si zjarri?", thotë Zoti, "dhe si një çekiç që thyen gurin?

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 23