Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 23:13-25 Bibla Shqip (ALBB)

13. "Kam vërejtur budallallëqe midis profetëve të Samarias: profetizonin në emër të Baalit dhe e çonin në rrugë të keqe popullin tim të Izraelit.

14. Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora".

15. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: "Ja, unë do t'i ushqej me pelin dhe do t'i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin".

16. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqij; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.

17. U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: "Zoti ka thënë: Do të keni paqe"; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: "Asnjë e keqe nuk do t'ju vijë".

18. Por kush ka marrë pjesë në këshillën e Zotit? Kush ka parë, kush ka dëgjuar fjalën e tij? Kush i ka kushtuar kujdes fjalës së tij dhe e ka dëgjuar?

19. Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve.

20. Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet derisa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; ditët e fundit do të kuptoni fare mirë.

21. Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.

22. Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time, atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.

23. A jam unë vetëm një Perëndi nga afër", thotë Zoti, "apo dhe një Perëndi nga larg?

24. A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?", thotë Zoti. "A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?", thotë Zoti.

25. "Kam dëgjuar atë që thonë profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: "Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr!".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 23