Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 22:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kështu thotë Zoti: "Zbrit në shtëpinë e mbretit të Judës dhe aty shqipto këto fjalë,

2. duke thënë: Dëgjo fjalën e Zotit, o mbret i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyni nëpër këto porta.

3. Kështu thotë Zoti: Veproni me ndershmëri dhe drejtësi, çlirojeni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, mos i bini më qafë dhe mos ushtroni dhunë kundër të huajit, jetimit dhe gruas së ve dhe mos derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend.

4. Sepse, po t'u përmbahemi tërësisht këtyre fjalëve, atëherë mbretërit e ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nëpër portat e kësaj shtëpie, të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata vetë, shërbëtorët e tyre dhe populli i tyre.

5. Por në rast se nuk do të dëgjoni këto fjalë, unë betohem për veten time", thotë Zoti, "që kjo shtëpi do të shkretohet".

6. Sepse kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës: "Ti ishe për mua si Galaadi, si maja e Libanit. Por unë do të të katandis me siguri në një vend të shkretë, në një qytet pa banorë.

7. Po përgatis kundër teje shkatërrues, secili me armët e tij; ata do të rrëzojnë cedrat e tu më të mirë dhe do t'i hedhin në zjarr.

8. Shumë kombe do të kalojnë pranë këtij qyteti dhe do t'i thonë njëri-tjetrit: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë qytet të madh?".

9. Dhe do të përgjigjen: "Sepse e kanë braktisur besëlidhjen me Zotin, Perëndinë e tyre, dhe kanë rënë përmbys para perëndive të tjera dhe u kanë shërbyer".

10. Mos qani për të vdekurin, mos mbani zi për të, por qani me hidhërim të madh për atë që niset, sepse nuk do të kthehet më dhe nuk e ka për të parë më vendin ku ka lindur.

11. Sepse kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josias, mbret i Judës, që mbretëron në vend të Josias atit të tij dhe që ka dalë nga ky vend: "Ai nuk do të kthehet më,

12. por do të vdesë në vendin ku e kanë çuar në robëri dhe nuk ka për ta parë më këtë vend".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 22