Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 2:14-27 Bibla Shqip (ALBB)

14. Izraeli a është vallë një skllav, o një skllav i lindur në shtëpi? Pse pra, u bë një pre?

15. Luanët e vegjël vrumbullojnë kundër tij, bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre dhe e katandisin vendin e tij në një shkatërrim të plotë; qytetet e tij janë djegur dhe askush nuk banon më në to.

16. Madje dhe banorët e Nofit dhe të Tahpanhesit të hanë kurorën që ke mbi kokë.

17. Mos vallë ti u bëre shkak që të të bjerë kjo mbi krye, sepse ke braktisur Zotin, Perëndinë tënd, ndërsa të udhëhiqte nëpër rrugë?

18. Dhe tani pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, për të shkuar të pish ujërat e Shihorit? Ose pse ke marrë rrugën që të çon në Asiri, për të shkuar të pish ujërat e Lumit?

19. Vetë sjellja jote e keqe dhe shmangiet e tua do të të dënojnë. Prano, pra, dhe shiko sa e keqe dhe e hidhur për ty është të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd, dhe të mos kesh fare frikë nga unë", thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

20. "Sepse prej shumë kohe ke thyer zgjedhën tënde, ke prerë lidhjet e tua dhe ke thënë: "Nuk dua të shërbej më!". Por mbi çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të gjelbër ti je shtrirë si një prostitutë.

21. Megjithatë të kisha mbjellë si një vresht fisnik i tërë i cilësisë më të lartë; si ke ndryshuar, pra, ndaj meje në degë të degjeneruara vreshti të huaj?

22. Edhe sikur të laheshe me sodë dhe të përdorje shumë sapun, paudhësia jote do të linte një njollë të pashlyeshme para meje", thotë Perëndia, Zoti.

23. "Si mund të thuash: "Nuk jam e ndotur, nuk u kam vajtur pas Baalëve"? Shiko rrugën që ke përshkuar në luginë, prano atë që ke bërë, deve e shpejtë, që vrapon pa fre në rrugët e saj.

24. Gomaricën e egër, që është mësuar në shkretëtirë, që merr frymë në afshin e dëshirës së saj; kush mund ta përmbajë në stinën e dashurisë? Të gjithë ata që e kërkojnë nuk duhet të lodhen: do ta gjejnë në muajin e vet.

25. Pengo që këmba jote të mbetet zbathur dhe që të të thahet gryka. Por ti ke thënë: "Është e kotë. Jo! Unë i dua të huajt dhe dëshiroj të shkoj pas tyre".

26. Ashtu si mbetet i hutuar vjedhësi kur kapet në flagrancë, kështu janë të hutuar ata të shtëpisë së Izraelit, ata vetë, mbreti i tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre,

27. të cilët i thonë drurit: "Ti je ati im" dhe gurit: "Ti na ke dhënë jetën". Po, ata më kanë kthyer kurrizin dhe jo fytyrën. Por në kohën e fatkeqësisë së tyre thonë: "Çohu dhe na shpëto!".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 2