Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 17:6-20 Bibla Shqip (ALBB)

6. Ai do të jetë si një brukë në shkretëtirë; kur vjen e mira, nuk ka për ta parë. Do të banojë në vende të thata në shkretëtirë, në një tokë të kripur pa banorë.

7. Lum ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti!

8. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë pranë ujit, që i shtrin rrënjët e tij gjatë lumit. Nuk do ta ndiejë kur vjen vapa dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra; në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim dhe do të vazhdojë të mbajë fryte.

9. Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?

10. Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t'i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.

11. Kush fiton pasuri në mënyrë të padrejtë është si thëllëza që ngroh vezë që nuk i ka bërë vetë; në mes të ditëve të tij ka për t'i lënë dhe në fund do të gjendet i shushatur".

12. Froni i lavdisë së shkëlqyer që në fillim është vendi i shenjtërores sonë.

13. O Zot, shpresa e Izraelit, tërë ata që të braktisin do të turpërohen. "Ata që largohen nga unë do të jenë të shkruar në tokë, sepse e kanë braktisur Zotin, burimin e ujit të gjallë".

14. Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem, shpëtomë dhe do të shpëtoj, sepse ti je lavdia ime.

15. Ja, ata më thonë: "Ku është fjala e Zotit? Le të realizohet tani!"

16. Megjithatë unë nuk refuzova të jem bariu i tyre duke të ndjekur ty, as dëshirova ditën e kobshme. Ti e di atë që doli nga goja ime, sepse bëhej në praninë tënde.

17. Mos u bëj për mua një frikë; ti je streha ime ditën e fatkeqësisë.

18. Qofshin të turpëruar përndjekësit e mi, por mos qofsha unë i turpëruar; qofshin të turpëruar ata, por mos qofsha i turpëruar unë; sill mbi ta ditën e fatkeqësisë dhe shkatërroji me një shkatërrim të dyfishtë!

19. Kështu më ka thënë Zoti: "Shko dhe ndalu te porta e bijve të popullit, nëpër të cilën hyjnë dhe dalin mbretërit e Judës dhe pranë të gjitha portave të Jeruzalemit,

20. dhe u thuaj atyre: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbretër të Judës, dhe tërë Juda dhe ju të gjithë banorë të Jeruzalemit, që hyni nëpër këto porta".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 17