Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 16:7-17 Bibla Shqip (ALBB)

7. Nuk do të thyhet buka për ata që mbajnë zi për t'i ngushëlluar për një të vdekur dhe nuk do t'u jepet për të pirë gota e ngushëllimit për atin e tyre dhe nënën e tyre.

8. Mos hyni as në një shtëpi banketi për t'u ulur bashkë me ta për të ngrënë dhe për të pirë".

9. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të bëj që të pushojë në këtë vend, para syve tuaj dhe në ditët tuaja, britma e gëzimit dhe britma e ngazëllimit, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses.

10. Dhe ka për të ndodhur që kur t'i shpallësh këtij populli tërë këto gjëra, do të të thonë: "Pse Zoti ka shqiptuar kundër nesh tërë këtë mjerim të madh? Cila është paudhësia jonë? Cili është mëkati që kemi kryer kundër Zotit, Perëndisë tonë?".

11. Atëherë ti do t'u përgjigjesh atyre: Sepse etërit tuaj më kanë braktisur", thotë Zoti, "kanë shkuar pas perëndive të tjera, u kanë shërbyer dhe kanë rënë përmbys para tyre, më kanë braktisur mua dhe nuk kanë respektuar ligjin tim.

12. Dhe ju keni vepruar më keq se etërit tuaj, sepse ja, secili vepron sipas kryeneçësisë së zemrës së tij të keqe dhe nuk pranon të më dëgjojë.

13. Prandaj unë do t'ju dëboj nga ky vend në një vend që as ju, as etërit tuaj nuk keni njohur dhe atje do t'u shërbeni perëndive të tjera ditën e natën, sepse unë nuk do t'ju fal".

14. "Prandaj ja, po vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit",

15. por: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë". Dhe unë do t'i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre.

16. Ja, unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t'i peshkuar", thotë Zoti, "dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t'i gjuajtur në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkëmbinjve.

17. Sepse sytë e mi janë mbi të gjitha rrugët e tyre, që nuk janë të fshehura nga fytyra ime, dhe paudhësitë e tyre nuk mbeten të fshehura para syve të mi.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 16