Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 16:14-21 Bibla Shqip (ALBB)

14. "Prandaj ja, po vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit",

15. por: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë". Dhe unë do t'i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre.

16. Ja, unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t'i peshkuar", thotë Zoti, "dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t'i gjuajtur në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkëmbinjve.

17. Sepse sytë e mi janë mbi të gjitha rrugët e tyre, që nuk janë të fshehura nga fytyra ime, dhe paudhësitë e tyre nuk mbeten të fshehura para syve të mi.

18. Para së gjithash do t'i shpaguaj dyfish për paudhësinë dhe mëkatin e tyre, sepse kanë përdhosur vendin tim me kufomat e idhujve të tyre të neveritshëm dhe e kanë mbushur trashëgiminë time me gjërat e tyre të neveritshme".

19. O Zot, forca ime, kalaja ime dhe streha ime ditën e fatkeqësisë, te ti do të vijnë kombet nga skajet e tokës dhe do të thonë: "Etërit tanë kanë trashëguar vetëm gënjeshtra, kotësi dhe gjëra që nuk vlejnë asgjë".

20. "A mundet të shpikë njeriu perëndi, që në të vërtetë nuk janë perëndi?

21. Prandaj ja, këtë radhë do t'u bëj të njohur atyre, do t'u tregoj dorën time dhe fuqinë time; dhe ata do të mësojnë që emri im është Zoti".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 16