Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 16:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

2. "Mos merr grua dhe mos ki bij e bija në këtë vend".

3. Sepse kështu thotë Zoti për bijtë dhe bijat që kanë lindur në këtë vend dhe për nënat që i kanë pjellë dhe për etërit që i kanë zënë në këtë vend:

4. "Ata do të vdesin nga një vdekje rrëqethëse; nuk do të qahen dhe nuk do të varrosen, por do t'i lënë si pleh mbi faqen e dheut; do të shfarosen nga shpata dhe nga uria, dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës".

5. Sepse kështu thotë Zoti: "Mos hyni në shtëpinë e zisë dhe mos shkoni për ngushëllime dhe për t'i vajtuar, sepse unë kam hequr nga ky popull paqen time, mirësinë time dhe mëshirën time", thotë Zoti.

6. "Të mëdhenj dhe të vegjël do të vdesin në këtë vend; nuk do të varrosen as do të mbahet zia për ata, nuk do të bëhen prerje as qethje flokësh për ta.

7. Nuk do të thyhet buka për ata që mbajnë zi për t'i ngushëlluar për një të vdekur dhe nuk do t'u jepet për të pirë gota e ngushëllimit për atin e tyre dhe nënën e tyre.

8. Mos hyni as në një shtëpi banketi për t'u ulur bashkë me ta për të ngrënë dhe për të pirë".

9. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të bëj që të pushojë në këtë vend, para syve tuaj dhe në ditët tuaja, britma e gëzimit dhe britma e ngazëllimit, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses.

10. Dhe ka për të ndodhur që kur t'i shpallësh këtij populli tërë këto gjëra, do të të thonë: "Pse Zoti ka shqiptuar kundër nesh tërë këtë mjerim të madh? Cila është paudhësia jonë? Cili është mëkati që kemi kryer kundër Zotit, Perëndisë tonë?".

11. Atëherë ti do t'u përgjigjesh atyre: Sepse etërit tuaj më kanë braktisur", thotë Zoti, "kanë shkuar pas perëndive të tjera, u kanë shërbyer dhe kanë rënë përmbys para tyre, më kanë braktisur mua dhe nuk kanë respektuar ligjin tim.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 16