Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 14:9-17 Bibla Shqip (ALBB)

9. Pse të jesh si një njeri i tronditur, si një njeri i fortë që nuk mund të shpëtojë? Megjithatë ti je në mes nesh, o Zot, emri yt përmendet mbi ne. Mos na braktis!

10. Kështu i thotë Zoti këtij populli: "Atyre u pëlqen me të vërtetë të enden, nuk përmbajnë hapat e tyre. Prandaj nuk i pëlqejnë Zotit, tani kujton paudhësinë e tyre dhe dënon mëkatet e tyre".

11. Pastaj Zoti më tha: "Mos u lut për këtë popull, për mirëqenien e tij.

12. Edhe sikur të agjërojnë, nuk kam për ta dëgjuar thirrjen e tyre; në rast se bëjnë holokauste dhe oferta ushqimesh nuk kam për t'i pëlqyer, por do t'i zhduk me shpatën, me urinë dhe murtajën".

13. Atëherë thashë: "Ah, Zot, Zot! Ja, profetët u thonë atyre: "Ju nuk do të shikoni shpatën dhe nuk do të vuani nga uria, por do t'ju jap një paqe të sigurt në këtë vend"".

14. Zoti më tha: "Profetët profetizojnë gënjeshtra në emrin tim; unë nuk i kam dërguar, nuk u kam dhënë asnjë urdhër dhe nuk kam folur me ta. Ata ju profetizojnë një pamje të rreme, një parashikim të kotë dhe mashtrimin e zemrës së tyre.

15. Prandaj kështu thotë Zoti për profetët që profetizojnë në emrin tim pa qenë të dërguar nga unë, dhe shpallin: "Nuk do të ketë as shpatë, as uri në këtë vend", këta profetë do të zhduken nga shpata dhe nga uria.

16. Sa për popullin të cilit i kanë profetizuar, do të hidhet në rrugët e Jeruzalemit për shkak të urisë dhe të shpatës, dhe nuk do të ketë asnjeri që t'i varrosë ata, gratë e tyre, bijtë dhe bijat e tyre. Kështu do të hedh mbi ta ligësinë e tyre".

17. U thuaj atyre pra, këtë fjalë: "Të derdhin lot ditë e natë sytë e mi pa pushim, sepse bija e virgjër e popullit tim u godit nga një fatkeqësi e madhe, nga një plagë e thellë.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 14