Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 14:1-9 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala e Zotit që iu drejtua Jeremias me rastin e thatësirës:

2. "Juda është në zi dhe portat e qyteteve të saj lëngojnë; mbajnë zi për vendin dhe britma e Jeruzalemit ngjitet deri në qiell.

3. Fisnikët dërgojnë ndër ta të rinjtë e tyre për të kërkuar ujë; këta shkojnë në sternat, por nuk gjejnë ujë dhe kthehen me enët e tyre bosh; janë plot me turp dhe të hutuar, dhe mbulojnë kokën e tyre.

4. Toka është plot me të çara, sepse nuk ka pasur shi në vend; bujqit janë plot me turp dhe mbulojnë kokën e tyre.

5. Edhe suta pjell nëpër fusha, por i braktis të vegjlit e saj, sepse nuk ka bar.

6. Gomarët e egër ndalen në lartësitë dhe e nuhasin ajrin si çakejtë; sytë e tyre janë të shuar, sepse nuk ka bar".

7. Edhe në se paudhësitë tona dëshmojnë kundër nesh, o Zot, vepro për hir të emrit tënd, sepse rebelimet tona janë të shumta; kemi mëkatuar kundër teje.

8. O shpresë e Izraelit, shpëtimtari i tij në kohë fatkeqësie, pse të jesh në vend si një i huaj, si një udhëtar që ndalet vetëm për të kaluar natën?

9. Pse të jesh si një njeri i tronditur, si një njeri i fortë që nuk mund të shpëtojë? Megjithatë ti je në mes nesh, o Zot, emri yt përmendet mbi ne. Mos na braktis!

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 14