Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 12:7-15 Bibla Shqip (ALBB)

7. Braktisa shtëpinë time, hodha poshtë trashëgiminë time; dhashë atë që kam më të shtrenjtë në duart e armiqve të tij.

8. Trashëgimia ime është bërë për mua si një luan në pyll; lëshoi ulërimën e tij kundër meje; për këtë e urreva.

9. Trashëgimia ime ka qenë për mua si një shpend grabitqar lara-lara; shpendët grabitqarë hidhen kundër saj nga çdo anë. Shkoni, mblidhini tërë kafshët e fushës, sillini këtu që t'i gëlltisin!

10. Shumë barinj kanë shkretuar vreshtin tim, kanë shkelur pjesën time, e kanë katandisur pjesën time të këndshme në një shkretëtirë të mjeruar.

11. E kanë katandisur në një shkretim; e shkretuar, të pikëllon para meje; tërë vendi është i shkretuar, por asnjeri nuk mendon për të.

12. Mbi të gjitha lartësitë e shkretëtirës kanë arritur shkatërruesit dhe shpata e Zotit e përpin vendin nga një skaj në skajin tjetër të tij; asnjë mish nuk ka paqe.

13. Kanë mbjellë grurë, por korrin gjemba; janë lodhur, por pa asnjë përfitim. Do t'u vijë turp nga korrja juaj, për shkak të zemërimit të fortë të Zotit!

14. Kështu thotë Zoti për të gjithë fqinjët e mi të këqij, që prekin trashëgiminë që i dhashë në zotërim popullit tim Izrael: "Ja, do t'i çrrënjos nga vendi i tyre dhe do të çrrënjos shtëpinë e Judës në mes të tyre.

15. Por ka për të ndodhur që, pasi t'i kem çrrënjosur, do të më vijë keq përsëri për ta dhe do ta çoj përsëri secilin në trashëgiminë e tij, secilin në vendin e tij.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 12