Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 12:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi?

2. I ke mbjellë dhe kanë lëshuar madje rrënjë; rriten dhe mbajnë madje fryte. Ti je afër gojës së tyre, por larg zemrës së tyre.

3. Por ti, o Zot më njeh, më shikon dhe shqyrton zemrën time në përqasje me ty. Tërhiqi në thertore si dele dhe veçoji për ditën e kërdisë!

4. Deri kur do të mbajë zi vendi dhe do të thahet bari i çdo fushe? Nga shkaku i ligësisë së banorëve të tij, kafshët dhe zogjtë shfarosen, sepse ata thonë: "Ai nuk do ta shikojë fundin tonë".

5. Në rast se ti fugon me këmbësorët dhe ata të lodhin, si mund të hysh në garë me kuajt? Në rast se e ndjen veten të sigurt vetëm në një vend paqësor, çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet?

6. Sepse edhe vëllezërit e tu dhe shtëpia e atit tënd kanë vepruar në mënyrë të pabesë ndaj teje; edhe ata të bërtasin nga pas me zë të lartë. Mos ki besim tek ata kur do të thonë fjalë të mira.

7. Braktisa shtëpinë time, hodha poshtë trashëgiminë time; dhashë atë që kam më të shtrenjtë në duart e armiqve të tij.

8. Trashëgimia ime është bërë për mua si një luan në pyll; lëshoi ulërimën e tij kundër meje; për këtë e urreva.

9. Trashëgimia ime ka qenë për mua si një shpend grabitqar lara-lara; shpendët grabitqarë hidhen kundër saj nga çdo anë. Shkoni, mblidhini tërë kafshët e fushës, sillini këtu që t'i gëlltisin!

10. Shumë barinj kanë shkretuar vreshtin tim, kanë shkelur pjesën time, e kanë katandisur pjesën time të këndshme në një shkretëtirë të mjeruar.

11. E kanë katandisur në një shkretim; e shkretuar, të pikëllon para meje; tërë vendi është i shkretuar, por asnjeri nuk mendon për të.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 12