Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 11:15-23 Bibla Shqip (ALBB)

15. Çfarë bën i preferuari im në tempullin tim, kur ka kryer shumë veprime të kobshme? A do të mundin mishrat e shenjtëruara të largojnë prej teje ligësinë tënde, me qëllim që ti të mund të gëzohesh?

16. Zoti të kishte thirrur me emrin Ulli i gjelbëruar i bukur, me fryte të shijshme. Në zhurmën e një rrëmuje të madhe, ai do t'i vërë zjarr dhe degët e tij do të shkatërrohen.

17. Zoti i ushtrive që të kishte mbjellë ka dekretuar fatkeqësinë kundër teje, për shkak të ligësisë sate në dëm të vetë shtëpisë së Izraelit dhe të shtëpisë së Judës, duke provokuar zemërimin tim dhe duke i djegur temjan Baalit".

18. Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mësova; atëherë ti më tregove veprimet e tyre.

19. Unë isha si një qengj i butë që e çojnë në thertore dhe nuk dija që kurdisnin intriga kundër meje, duke thënë: "Të shkatërrojmë drurin bashkë me frytin e tij dhe ta zhdukim nga toka e të gjallëve, me qëllim që emri i tij të mos kujtohet më".

20. Por, o Zot i ushtrive, gjykatës i drejtë, që shqyrton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse unë të bëra të njohur çështjen time.

21. Prandaj kështu thotë Zoti për sa i përket njerëzve të Anathothit që kërkojnë jetën tënde, duke thënë: "Mos bëj profeci në emër të Zotit, që të mos vdesësh nga dora jonë".

22. Kështu, pra, thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do t'i dënoj; të rinjtë do të vdesin nga shpata, bijtë e tyre dhe bijat e tyre do të vdesin nga uria.

23. Nuk ka për të mbetur asnjë prej tyre, sepse unë do të sjell një gjëmë mbi njerëzit e Anathothit, në vitin e ndëshkimit të tyre".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 11