Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 11:13-21 Bibla Shqip (ALBB)

13. Sepse o Judë perënditë e tua janë të shumta si qytetet e tua, dhe altarët që keni ngritur për atë gjë të turpshme, altarët për t'i djegur temjan Baalit, janë të shumtë si rrugët e Jeruzalemit.

14. Prandaj mos u lut për këtë popull dhe mos ngri për të asnjë britmë a lutje, sepse unë nuk do t'i kënaq kur do të më klithin mua për fatkeqësinë e tyre".

15. Çfarë bën i preferuari im në tempullin tim, kur ka kryer shumë veprime të kobshme? A do të mundin mishrat e shenjtëruara të largojnë prej teje ligësinë tënde, me qëllim që ti të mund të gëzohesh?

16. Zoti të kishte thirrur me emrin Ulli i gjelbëruar i bukur, me fryte të shijshme. Në zhurmën e një rrëmuje të madhe, ai do t'i vërë zjarr dhe degët e tij do të shkatërrohen.

17. Zoti i ushtrive që të kishte mbjellë ka dekretuar fatkeqësinë kundër teje, për shkak të ligësisë sate në dëm të vetë shtëpisë së Izraelit dhe të shtëpisë së Judës, duke provokuar zemërimin tim dhe duke i djegur temjan Baalit".

18. Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mësova; atëherë ti më tregove veprimet e tyre.

19. Unë isha si një qengj i butë që e çojnë në thertore dhe nuk dija që kurdisnin intriga kundër meje, duke thënë: "Të shkatërrojmë drurin bashkë me frytin e tij dhe ta zhdukim nga toka e të gjallëve, me qëllim që emri i tij të mos kujtohet më".

20. Por, o Zot i ushtrive, gjykatës i drejtë, që shqyrton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse unë të bëra të njohur çështjen time.

21. Prandaj kështu thotë Zoti për sa i përket njerëzve të Anathothit që kërkojnë jetën tënde, duke thënë: "Mos bëj profeci në emër të Zotit, që të mos vdesësh nga dora jonë".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 11