Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 65:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Më kanë kërkuar ata që nuk pyesnin për mua, më gjetën ata që nuk më kërkonin. Dhe thashë: "Ja ku jam, ja ku jam" një kombi që nuk thërriste emrin tim.

2. I shtriva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rebel, që ecën nëpër një rrugë jo të mirë, duke ndjekur mendimet e tij;

3. një popull që vazhdimisht provokon zemërimin tim me pafytyrësi, që ofron flijime në kopshte dhe djeg temjan mbi altarë prej tullash,

4. që rri midis varreve dhe kalon netët në vende sekrete, që ha mish derri dhe ka në enët e tij supa gjërash të neveritshme,

5. që thotë: "Rri për llogari tënde, mos u afro, sepse jam më i shenjtë se ti". Këto gjëra janë për mua një tym në hundë, një zjarr që digjet tërë ditën.

6. "Ja, e tërë kjo është shkruar para meje; unë nuk do të hesht, por do të shpaguaj, po, do të shpaguaj në gji të tyre

7. paudhësitë tuaja dhe paudhësitë e etërve tuaj të gjitha së bashku", thotë Zoti. "Ata kanë djegur temjan mbi male dhe më kanë fyer mbi kodra; prandaj shpërblimin e sjelljes së tyre të kaluar do ta llogaris në gji të tyre".

8. Kështu thotë Zoti: "Ashtu si thuhet kur gjendet lëng në vilën e rrushit: "Mos e prishni, sepse në të ka një bekim", kështu do të bëj unë për hir të shërbëtorëve të mi dhe nuk do të shkatërroj çdo gjë.

9. Unë do të nxjerr nga Jakobi pasardhës dhe nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia; të zgjedhurit e mi do të zotërojnë vendin dhe shërbëtorët e mi do të banojnë aty.

10. Sharoni do të bëhet një vathë kopesh dhe lugina e Akorit një vend për çlodhjen e bagëtisë së trashë, për popullin tim që do të më kërkojë.

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 65