Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 51:12-23 Bibla Shqip (ALBB)

12. Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari?

13. Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Ti kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Por ku është tani tërbimi i shtypësit?

14. I mërguari në robëri do të çlirohet së shpejti, nuk do të vdesë në gropë as nuk do t'i mungojë buka.

15. Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, që tund detin dhe bën të gjëmojnë valët; emri i tij është Zoti i ushtrive.

16. Unë i vura fjalët e mia në gojën tënde dhe të mbulova me hijen e dorës sime për të vendosur qiejt dhe për të hedhur themelet e tokës, dhe për t'i thënë Sionit: "Ti je populli im".

17. Rizgjohu, rizgjohu, çohu, o Jeruzalem, që ke pirë nga dora e Zotit kupën e zemërimit të tij, që ke pirë llumin e kupës së hutimit derisa e kullove krejt.

18. Midis gjithë bijve që ka pjellë nuk ka asnjë që ta udhëheqë; midis gjithë bijve që ka rritur nuk ka asnjë që ta marrë prej dore.

19. Këto dy gjëra të kanë ndodhur, kujt do t'i vijë keq për ty? Pikëllim dhe shkatërrim, uri dhe shpatë, kush do të ngushëllojë?

20. Djemtë e tu ligështoheshin, qëndronin në krye të të gjitha rrugëve si një antilopë e zënë në rrjetë, plot me zemërimin e Zotit, me kërcënimin e Perëndisë tënd.

21. Prandaj tani dëgjo këtë, o e pikëlluar dhe e dehur, por jo nga vera.

22. Kështu thotë Zoti yt, Zoti, Perëndia yt, që mbron çështjen e popullit të tij: "Ja, unë po të heq nga dora kupën e hutimit, llumin e kupës së zemërimit tim; ti nuk do ta pish më.

23. Do ta vë përkundrazi në duart e atyre që të hidhëronin dhe të thoshin: "Shtrihu për tokë, që të kalojmë mbi ty", dhe ti e bëje kurrizin tënd një vend, një rrugë për kalimtarët".

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 51