Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 49:9-24 Bibla Shqip (ALBB)

9. për t'u thënë robërve: "Dilni", dhe atyre që janë në terr: "Shfaquni". Ata do të kullosin gjatë rrugëve dhe në të gjitha lartësitë e braktisura do të kenë kullotat e tyre.

10. Nuk do të kenë as uri as etje, nuk do të goditen më as nga vapa as nga dielli, sepse ai që ka mëshirë për ta do t'i udhëheqë dhe do t'i çojë te burimet e ujit.

11. Do t'i ndryshoj tërë malet e mia në rrugë, dhe rrugët e mia kryesore do të ngrihen.

12. Ja, këta vijnë nga larg; ja, ata nga veriu dhe nga lindja, dhe ata nga vendi i Sinimit".

13. Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e tij.

14. Por Sioni ka thënë: "Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar".

15. "A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.

16. Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve.

17. Bijtë e tu do të shpejtojnë, shkatërruesit e tu dhe rrënuesit e tu do të largohen prej teje.

18. Ngriji sytë e tu rreth e qark dhe shiko. Të tërë ata po mblidhen dhe po të vijnë. Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, do të vishesh me tërë ata si me një ornament dhe do t'i lidhësh mbi veten tënde, ashtu si bën nusja.

19. Prandaj vendet e tua të shkreta dhe të pikëlluara dhe vendi yt i goditur një herë nga shkatërrimi do të jenë tani tepër të ngushtë për banorët, ndërsa ata që të gllabëronin do të jenë mjaft larg.

20. Fëmijët që do të kesh pas atyre që ke humbur, do të të thonë në vesh: "Ky vend është tepër i ngushtë për mua; bëmë më tepër vend që të mund të vendosem".

21. Atëherë ti do të thuash në zemrën tënde: "Kush i ka pjellë këta? Unë në fakt isha i privuar nga fëmijët e mi, isha shterpë e mërguar dhe e dëbuar sa këtej dhe andej. Këta kush i rriti? Ja, unë kisha mbetur vetëm, dhe këta ku ishin?"".

22. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do të ngre dorën time mbi kombet, do të ngre flamurin tim mbi popujt; atëherë do t'i sjellin bijtë e tu në krahë dhe vajzat e tua do t'i sjellin mbi supe.

23. Mbretërit do të jenë baballarët tuaj birësues dhe mbretëreshat e tyre do të jenë tajat tuaja; ata do të bien përmbys para teje me fytyrën përtokë dhe do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua; kështu do të mësosh që unë jam Zoti dhe ata që shpresojnë tek unë nuk do të turpërohen.

24. A do të mund t'i shkëputet vallë preja të fuqishmit apo të çlirohet i burgosuri që është i drejtë?".

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 49