Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 47:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Zbrit dhe ulu në pluhur, o e virgjër bijë e Babilonisë. Ulu në tokë, pa fron, o bijë e kaldeasve, sepse nuk do të quajnë më të brishtë dhe të njomë.

2. Vër dorën mbi mokrën dhe bluaj miellin; lëvize velin tënd, ngrije bishtin e fustanit, zbulo këmbën dhe kalo lumenjtë.

3. Lakuriqësia jote do të zbulohet dhe do të shihet gjithashtu turpi yt; do të hakmerrem dhe asnjeri nuk do të ndërhyjë".

4. Shpëtimtari ynë, emri i të cilit është Zoti i ushtrive, është i Shenjti i Izraelit.

5. "Ulu në heshtje dhe shko në terr, o bijë e kaldeasve, sepse nuk do të të quajnë më zonjë të mbretërive.

6. Jam zemëruar me popullin tim, kam përdhosur trashëgiminë time dhe i kam dhënë në pushtetin tënd, por ti nuk ke përdorur për ta kurrfarë mëshire; zgjedhën tënde e ushtrove sidomos mbi të moshuarit,

7. dhe the: "Unë do të jem zonjë përjetë", dhe kështu nuk i vure këto gjëra në zemër dhe nuk more parasysh fundin e gjithë kësaj ngjarjeje.

8. Por tani dëgjo, o epshndjellëse, që banon në një vend të sigurt dhe thua në zemrën tënde: "Unë, dhe asnjë tjetër! Nuk do të mbetem kurrë e ve dhe s'kam për të njohur humbjen e fëmijëve".

9. Por këto dy gjëra do të të ndodhin në një çast, në po atë ditë: humbja e fëmijëve dhe vejëria; do të të bien plotësisht mbi kurriz, për shkak të numrit të madh të magjive të tua dhe për morinë e yshtjeve të tua.

10. Ti kishe besim në djallëzinë tënde dhe thoshe: "Askush nuk më sheh". Dituria jote dhe njohuritë e tua të kanë mashtruar, dhe ti thoshe në zemrën tënde:

11. "Unë dhe askush tjetër". Prandaj do të të vijë një fatkeqësi dhe nuk do të dish se nga të vjen; do të bjerë një fatkeqësi, që nuk do të jesh në gjendje ta shmangësh me asnjë lloj shlyerje; do të bjerë papritmas në trup një shkatërrim, që nuk e ke parashikuar.

12. Rri tani me yshtjet e tua dhe me morinë e magjive të tua me të cilat je lodhur që në rininë tënde. Ndofta do të nxjerrësh prej tyre ndonjë përfitim, ndofta do të arrish të ndjellësh frikë.

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 47