Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 46:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Beli ka rënë, Nebo është rrëzuar; idhujt e tyre i kanë çuar tutje me kafshë barre dhe me pela; gjërat që ju transportonit janë ngarkuar si pesha të rënda për kafshët e lodhura.

2. Janë shembur, kanë rënë bashkë; nuk kanë mundur të shpëtojnë ngarkesën, por ata vetë kanë shkuar në robëri.

3. "Dëgjomëni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë mbetja e shtëpisë së Izraelit, që ju kam përkrahur që kur keni lindur, që jeni mbajtur nga unë qysh në bark të nënës;

4. "Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t'ju mbaj derisa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t'ju përkrah; po, do t'ju mbaj dhe do t'ju shpëtoj".

5. Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?

6. Këta harxhojnë arin e çantës dhe peshojnë argjendin me peshore, paguajnë një argjendar që me to të sajojë një perëndi; pastaj bien përmbys para tij dhe e adhurojnë.

7. E ngarkojnë mbi kurriz dhe e mbartin, e vënë në vendin e tij dhe mbetet atje; nga vendi i tij nuk lëvizet më. Edhe sikur dikush t'i thërrasë atij, ai nuk i përgjigjet as e shpëton nga fatkeqësia e tij.

8. Kujtoni këtë dhe tregohuni burra! Silleni atë ndërmend, o shkelës.

9. Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua,

10. që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: "Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen",

11. duke thirrur nga lindja një zog grabitqar dhe nga një tokë e largët njeriun që do të zbatojë planin tim. Po, kam folur dhe do të bëj që të ndodhë; kam bërë planin dhe do ta realizoj.

12. Dëgjomëni, o zemërkryeneçë, që i jeni larguar drejtësisë.

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 46