Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 45:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Kështu i thotë Zoti të vajosurit të tij, Kirit, që unë e mora me dorën e djathtë, që të hedh poshtë para tij kombet: Po, unë do të zgjidh brezat që mbretërit mbajnë në ijë, për të hapur para tij

2. Unë do të ec para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura, do të bëj copë-copë portat prej bronzi dhe do të thyej shufrat prej hekuri.

3. Do të të jap thesaret e territ dhe pasuritë e fshehura në vende të fshehta, me qëllim që ti të njohësh që unë jam Zoti, Perëndia i Izraelit, që të thërret me emër.

4. Për hir të Jakobit, shërbëtorit im, dhe për hir të Izraelit, të zgjedhurit tim, unë të thirra me emër dhe të dhashë një titull nderi megjithëse ti nuk më njihje.

5. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje,

6. me qëllim që nga lindja në perëndim të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

7. Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqenien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra".

8. Pikëloni, o qiej, nga lart dhe retë le të bëjnë të bjerë si shi drejtësia. Le të hapet toka, të prodhojë shpëtimin dhe të bëjë të mbijë njëkohësisht drejtësia. Unë, Zoti, e kam krijuar këtë.

9. Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t'i thotë argjila atij që i jep formë: "Ç'po bën?", a do të thotë vepra jote: "Nuk ka duar?".

10. Mjerë ai që i thotë të atit: "Çfarë po lind?". dhe nënës së tij: "Çfarë po pjell?".

11. Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: "Për sa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhra rreth veprës së duarve të mia?

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 45