Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 44:15-24 Bibla Shqip (ALBB)

15. Ky i shërben njeriut për të djegur; ai merr një pjesë të tij për t'u ngrohur dhe ndez zjarrin për të pjekur bukën; bën gjithashtu një perëndi dhe e adhuron, bën një shëmbëlltyrë të gdhendur para së cilës bie përmbys.

16. Djeg gjysmën e tij në zjarr, me gjysmën tjetër përgatit mishin, pjek mishin dhe ngopet. Ngrohet gjithashtu dhe thotë: "Ah, po ngrohem, kënaqem me zjarrin".

17. Me atë që mbetet prej tij sajon një perëndi, shëmbëlltyrën e saj të gdhendur, bie përmbys përpara saj, e adhuron, e lut dhe i thotë: "Shpëtomë, sepse ti je perëndia im".

18. Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë, sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë.

19. Askush nuk vjen në vete dhe as ka dituri dhe mend për të thënë: "Dogja një pjesë në zjarr, po, mbi prushin e tij poqa bukën, poqa mishin dhe e hëngra. Me atë që mbetet do të bëj një gjë të neveritshme dhe do të bie përmbys përpara një cope druri?".

20. Një person i tillë ushqehet me hi, zemra e tij e mashtruar e çon në rrugë të keqe. Ai nuk mund të çlirojë shpirtin e tij dhe të thotë: "A nuk është vallë një gënjeshtër ajo që mbaj në dorën time të djathtë?".

21. "Mbaji mend këto gjëra, o Jakob, o Izrael, sepse ti je shërbëtori im; unë të kam formuar, ti je shërbëtori im; o Izrael, nuk do të të harroj.

22. I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar".

23. Ngazëlloni, o qiej, sepse Zoti ka vepruar. Gëzohuni, o thellësi të tokës. Shpërtheni në britma gëzimi, o male, o pyje, me gjithë drurët tuaj! Sepse Zoti ka çliruar Jakobin dhe ka shfaqur lavdinë e tij në Izrael.

24. Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, ai që të ka formuar që në bark të nënës: "Unë jam Zoti që kam bërë tërë gjërat, që i vetëm, kam shpalosur qiejt dhe kam shtrirë tokën; kush ishte me mua?

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 44