Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 40:14-24 Bibla Shqip (ALBB)

14. Me kë është konsultuar, që t'i jepte mend, t'i mësonte shtegun e drejtësisë, t'i jepte dituri dhe t'i tregonte rrugën e arsyes?

15. Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; ja, ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël.

16. Libani nuk do të mjaftonte për të siguruar lëndën djegëse që i duhet zjarrit, as kafshët e tij nuk do të mjaftonin për holokaustin.

17. Të gjitha kombet janë si një hiç para tij dhe konsiderohen prej tij si një hiç dhe një kotësi.

18. Kujt dëshironi t'i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t'i vinit përballë?

19. Një artist shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe argjendari e vesh me ar dhe shkrin zinxhirë të vegjël prej argjendi.

20. Ai që është tepër i varfër për një ofertë të tillë zgjedh një dru që nuk kalbet dhe gjen një artizan të shkathët, që i përgatit një shëmbëlltyrë të gdhendur që nuk lëviz.

21. Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës?

22. Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejt si një vello dhe i hap si një çadër ku mund të banosh.

23. Ai i katandis princat në një hiç dhe i bën të panevojshëm gjykatësit e tokës.

24. Sapo janë mbjellë, sapo janë hedhur në tokë sapo kërcelli i tyre ka lëshuar rrënjë, ai fryn mbi ta dhe ata thahen; uragani i merr me vete si kashtë.

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 40