Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 33:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. O ju që jeni larg, dëgjoni atë që kam bërë; dhe ju që jeni afër, njihni fuqinë time".

14. Në Sion mëkatarët i ka kapur frika, një drithërimë ka pushtuar të pabesët: "Kush prej nesh do të mund të banojë me zjarrin gllabërues? Kush prej nesh do të mund të banojë me flakët e përjetshme?".

15. Ai që ecën me drejtësi dhe flet drejt, ai që i përçmon fitimet e shtrembra, që lëviz duart për të mos pranuar dhurata, që i mbyll veshët për të mos dëgjuar të flitet për gjak dhe sytë për të mos parë të keqen,

16. ai do të banojë në vende të larta, shkëmbinjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t'i jepet, uji i tij do t'i sigurohet.

17. Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit tënd, do të shohin një vend që ndodhet shumë larg.

18. Zemra jote do të bjerë në mendime të thella mbi tmerret e kaluara: "Ku është shkruesi? Ku është ai që peshon? Ku është ai që numëron kullat?".

19. Ti nuk do ta shikosh më atë popull mizor, atë popull me një të folur të errët dhe të pakuptueshme, që belbëzon një gjuhë që askush nuk e kupton.

20. Sodit Sionin, qytetin e madhështive tona! Sytë e tu do të shohin Jeruzalemin, vendbanim i qetë, çadër që nuk do të lëvizet më nga vendi, hunjtë e së cilës nuk do të shkulen dhe asnjë nga litarët e saj nuk do të hiqet.

21. Por aty Zoti në madhështinë e tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji, ku nuk arrin asnjë anije me lopata dhe nuk kalon asnjë anije e fuqishme.

22. Me qenë se Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjvënësi ynë, Zoti është mbreti ynë; ai do të na shpëtojë.

23. Litarët e tu janë liruar, nuk e mbajnë mirë direkun dhe nuk vënë në veprim velat. Atëherë do të ndahet preja e një plaçke të pasur; edhe çalamanët do të marrin pjesë në plaçkitje.

24. Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: "Unë jam i sëmurë". Populli që banon aty do të përfitojë faljen për paudhësinë e tij.

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 33