Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 30:21-30 Bibla Shqip (ALBB)

21. Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: "Kjo është rruga, ecni në të!".

22. Konsiderojini si të papastra shëmbëlltyrat tuaja të gdhendura të veshura me argjend dhe shëmbëlltyrat tuaja prej metali të derdhur të veshura me ar; do t'i flakni tutje si një gjë e papastër, "Jashtë!", do t'u thoni atyre.

23. Atëherë ai do t'i japë shiun për farën tënde që do të kesh mbjellë në tokë; dhe buka që toka do të prodhojë do të jetë e shijshme dhe e bollshme; atë ditë bagëtia jote do të kullosë në kullota të gjera.

24. Qetë dhe gomarët që punojnë tokën do të hanë forazhin me kripë, të ajrosur me lopatën e drithit.

25. Mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të lartë do të ketë rrëke dhe rrjedha uji ditën e masakrës së madhe, kur do të rrëzohen kullat.

26. Drita e hënës do të jetë si drita e diellit, dhe drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë, si drita e shtatë ditëve, ditën kur Zoti do të lidhë plagën e popullit të tij dhe do të shërojë plagën e shkaktuar nga goditjet e tij.

27. Ja, emri i Zotit vjen nga larg; zemërimi i tij është i zjarrtë dhe barra e tij e rëndë; buzët e tij janë plot indinjatë dhe gjuha e tij si një zjarr që të përpin;

28. fryma e tij është si një përrua që vërshon dhe që arrin deri në qafë për të shoshitur kombet me shoshën e shkatërrimit dhe për të vënë në nofullat e popujve një fre që t'i bëjë të përdalin.

29. Atëherë do t'ia merrni një këngë si natën kur kremtoni një festë; dhe do të keni gëzim në zemër, ashtu si ai që shkon me zërin e fyellit në malin e Zotit, në kështjellën e Izraelit.

30. Pastaj Zoti do të bëjë të dëgjohet zëri i tij madhështor dhe do të tregojë si godet me krahun e tij kur tërbohet zemërimi i tij, në flakën e një zjarri gllabërues, në mes shpërthimesh të furishme, uraganësh dhe breshëri gurësh.

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 30