Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 29:6-16 Bibla Shqip (ALBB)

6. Ti do të vizitohesh nga Zoti i ushtrive me gjëmime, tërmete dhe zhurma të mëdha, me shakullina dhe flakë zjarri përvëlues.

7. Moria e të gjitha kombeve që luftojnë kundër Arielit, e të gjitha atyre që e luftojnë atë dhe fortesën e tij dhe e shtrëngojnë rreth e qark do të jetë si një ëndërr, si një vegim nate.

8. Ka për të ndodhur ashtu si kur një i uritur që ëndërron të hajë, por kur zgjohet e ka stomakun bosh, apo si kur një i etur ëndërron të pijë, por kur zgjohet është i lodhur dhe e ka grykën të tharë; kështu ka për të ndodhur me morinë e të gjitha kombeve që luftojnë kundër malit të Sionit.

9. Ndaluni dhe habituni. Braktisjuni qejfeve dhe pastaj shikoni rreth e rrotull të trembur. Këta janë të dehur, por jo nga vera; u merren këmbët, por jo për pasojë të pijeve dehëse.

10. Në fakt Zoti ka shpërndarë mbi ju një frymë topitjeje; ka mbyllur sytë tuaja, profetët, ka mbuluar me vel krerët tuaj, shikuesit.

11. Çdo vegim profetik është bërë për ju si fjalët e një libri të vulosur që i jepet dikujt që di të lexojë; duke i thënë: "Të lutem, lexoje, këtë!", por ai përgjigjet: "Nuk mundem, sepse është i vulosur!".

12. Ose si një libër që i jepet dikujt që nuk di të lexojë, duke i thënë: "Të lutem, lexoje këtë!", por ai përgjigjet: "Nuk di të lexoj".

13. Prandaj Zoti thotë: "Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit,

14. prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarsia e të mençurve të tij do të zhduket".

15. Mjerë ata që shkojnë në vende të thella për t'ia fshehur Zotit planet e tyre, që i bëjnë veprat e tyre në terr dhe thonë: "Kush na sheh? Kush na njeh?"

16. I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t'i thotë atij që e ka bërë: "Nuk më ka bërë ai"?, ose gjëja e formuar t'i thotë atij që e ka formuar: "Nuk ka zgjuarsi"?

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 29