1. Mjerë Arieli, Arieli, qytet ku fushoi Davidi! I shtoni vit vitit, festat le të plotësojnë ciklin e tyre.
2. Pastaj do ta hedh Arielin në ankth; do të ketë ankim dhe rënkime dhe për mua do të jetë si një Ariel.
3. Unë do të fushoj kundër teje rreth e qark, do të të rrethoj me një ledh dhe do të ngre bastione kundër teje.
4. Do të ulesh, do të flasësh nga toka dhe fjala jote do të dalë e mbytur nga pluhuri; zëri yt do të ngjitet nga toka si ai i një mediumi dhe fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.
5. Turma e armiqve të tu do të jetë si pluhur i hollë dhe turma e të fuqishmëve si byk i shpërndarë; dhe kjo ka për të ndodhur papritmas, në një çast.
6. Ti do të vizitohesh nga Zoti i ushtrive me gjëmime, tërmete dhe zhurma të mëdha, me shakullina dhe flakë zjarri përvëlues.
7. Moria e të gjitha kombeve që luftojnë kundër Arielit, e të gjitha atyre që e luftojnë atë dhe fortesën e tij dhe e shtrëngojnë rreth e qark do të jetë si një ëndërr, si një vegim nate.
8. Ka për të ndodhur ashtu si kur një i uritur që ëndërron të hajë, por kur zgjohet e ka stomakun bosh, apo si kur një i etur ëndërron të pijë, por kur zgjohet është i lodhur dhe e ka grykën të tharë; kështu ka për të ndodhur me morinë e të gjitha kombeve që luftojnë kundër malit të Sionit.
9. Ndaluni dhe habituni. Braktisjuni qejfeve dhe pastaj shikoni rreth e rrotull të trembur. Këta janë të dehur, por jo nga vera; u merren këmbët, por jo për pasojë të pijeve dehëse.
10. Në fakt Zoti ka shpërndarë mbi ju një frymë topitjeje; ka mbyllur sytë tuaja, profetët, ka mbuluar me vel krerët tuaj, shikuesit.
11. Çdo vegim profetik është bërë për ju si fjalët e një libri të vulosur që i jepet dikujt që di të lexojë; duke i thënë: "Të lutem, lexoje, këtë!", por ai përgjigjet: "Nuk mundem, sepse është i vulosur!".
12. Ose si një libër që i jepet dikujt që nuk di të lexojë, duke i thënë: "Të lutem, lexoje këtë!", por ai përgjigjet: "Nuk di të lexoj".
13. Prandaj Zoti thotë: "Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit,
14. prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarsia e të mençurve të tij do të zhduket".
15. Mjerë ata që shkojnë në vende të thella për t'ia fshehur Zotit planet e tyre, që i bëjnë veprat e tyre në terr dhe thonë: "Kush na sheh? Kush na njeh?"
16. I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t'i thotë atij që e ka bërë: "Nuk më ka bërë ai"?, ose gjëja e formuar t'i thotë atij që e ka formuar: "Nuk ka zgjuarsi"?