1. Mjerë kurorës së kryelartësisë të të dehurve, të Efraimit dhe lules së fishkur të bukurisë së tij të lavdishme që ri mbi krye të luginës pjellore të atyre që i ka mposhtur vera!
2. Ja, Zoti ka një njeri të fortë dhe të fuqishëm, si një stuhi breshëri, si një tufan shkatërrues; si një vërshim ujërash të fuqishme përmbytëse; ai do t'i hedhë për tokë me dorën e tij.
3. Kurora e kryelartësisë të të dehurve të Efraimit do të shkelet;
4. dhe lulja e fishkur e bukurisë së tij të lavdishme që rri mbi krye të luginës pjellore do të jetë si një fik i hershëm para verës që dikush e shikon; ai e gëlltit sapo e ka në dorë.
5. Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë një kurorë lavdie, një diademë e shkëlqyer për pjesën tjetër të popullit të tij,
6. një frymë drejtësie për atë që ulet për të gjykuar dhe forca e atyre që në betejë e sprapsin armikun deri te portat e tij.
7. Por edhe këta shkojnë sa djathtas aq edhe majtas për shkak të verës dhe u merren këmbët nga pijet dehëse; prifti dhe profeti lëkunden për shkak të pijeve dehëse, lëkunden sikur të kishin vegime, ngurrojnë në dhënien e vendimeve.
8. Tërë tryezat janë plot me të vjella dhe me ndyrësi, nuk ka më një vend të pastër.